Kriza e pandemisë Covid -19 në dy vitet e fundit ka rritur ndjeshëm kërkesën për ilaçe e për shërbime shëndetësore. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave vlera e importeve të produkteve farmaceutike vitin e kaluar për 11-mujorin arriti në nivele rekord në 27.2 miliardë lekë, rreth 227 milionë euro.

Kjo është vlera më e lartë e ilaçeve të importuara të shënuara në vend në dekadën e fundit, ndikuar së tepërmi nga shitjet shtesë ilaçeve që përdoren për kurimin dhe trajtimin e Covid-19, duke bërë që pikat me pakicë të medikamenteve të rrisin në mënyrë të pazakontë shitjet këtë periudhë 2-vjeçare veçanërisht.

Që prej shpërthimit të pandemisë në vitin 2020 , importi i ilaçeve nuk ka njohur rënie, përkundrazi është zgjeruar ndjeshëm duke arritur kulmin në marsin e vitit 2021, me rreth 28.3 milionë euro. Në raport me 2019 periudhën e para pandemisë, importet e produkteve farmaceutike janë rritur me më shumë se 29 milionë euro.

Krahas ilaçeve që përdoren për sëmundje kronike apo probleme të tjera shëndetësore, kërkesa më e lartë gjatë periudhës së pandemisë është vërejtur për barnat kundër Covid-19.

Kërkesë të shtuar ka pasur edhe për vitaminat e suplementet e ndryshme që përdoren si bashkëshoqëruese në trajtimin e infeksionit, por edhe për produkte të tjera si maskat apo dezifektantët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re