HIMARË- Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë dhe Stacionit të Policisë Dhërmi, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë (FKS), Njësia Fier, strukturat e Emergjencave Civile, Njësinë Alpine dhe Ministrinë e Mbrojtjes, përfunduan me sukses një operacion shumë të vështirë kërkim-shpëtimi për një turist çek, që kishte mbetur i bllokuar në një zonë të thepisur dhe shumë të vështirë të Malit të Çikës.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, u organizua operacioni i kërkim-shpëtimit.
Përgjatë 12 orëve, Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Fier, arriti të lokalizojë vendndodhjen e turistit dhe të bashkohej me të.
Për shkak të terrenit shumë të vështirë dhe pamundësisë së tërheqjes me mjete tokësore, u kërkua ndërhyrja e helikopterit të Forcave të Armatosura, i cili bëri të mundur nxjerrjen e turistit nga zona dhe transportimin e tij në qytet.
Turistit 43-vjeçar iu dha ndihma e parë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pas shpëtimit, turisti falënderoi të gjitha strukturat e angazhuara për ndihmën dhe profesionalizmin e treguar gjatë operacionit.
