Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me 4 vite burg të sekretares së Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro e akuzuar për ryshfetin 3.3 mln lekë për tenderin e institucionit shtetëror.

Joana Duro dhe biznesmeni Vladimir Topi kishin ankimuar vendimin e GJKKO-së për dënimin e tyre, por togat e zeza kanë lënë në fuqi vendimin.

Sekretarja e Ministrisë së Shëndetësisë është dënuar për korrupsion, por nga gjykimi i shkurtuar përfiton ulje me 1/3 duke u dënuar përfundimisht me 2.8 vite burg. Gjithashtu iu është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Biznesmeni Vladimir Topi ndërkohë është dënuar me 1 vit burg, por përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe dënohet përfundimisht me 8 muaj qëndrim në qeli.

Ndërsa inxhinieri Silvi Shehu dhe specialistja Laura Shteto janë dënuar po ashtu me nga 1 vit burg, por përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar dhe dënohen përfundimisht me 8 muaj qëndrim në qeli.

Akuzat ndaj të tyre:

Joana Duro, e akuzuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.2. Laura Shteto, e akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245 dhe 25 i Kodit Penal.

3. Vladimir Topi, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245 dhe 25 i Kodit Penal.

4. Silvi Shehi, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245 dhe 25 i Kodit Penal.

Njoftimi i Apelit të GJKKO-së:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Miliana Muça (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Engert Pëllumbi (anëtar), sot më datë 10.05.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 22 akti, datë 18.03.2024 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesit/të pandehurit J.D., V.T., kundër vendimit nr. 75, datë 13.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:

“Deklarimin fajtor të të pandehurës J. D., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose itë zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal dhe dënimin e saj me 4 (katër) vjet burgim.

Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurën J.D. me 2 (dy) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.

Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal, heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurën J.D. për 5 (pesë) vjet.

Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin  e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurën J.D. do të fillojë të llogaritet nga dita e arrestimit të saj dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.

Deklarimin fajtor të të pandehurit V.T., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245 e 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin V.T. me 8 (tetë) muaj burgim.

Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin  e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurin V.T. do të fillojë të llogaritet nga dita e ndalimit të tij dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.

Shpenzimet proceduriale të kryera gjatë fazës së hetimit paraprak, seancës paraprake dhe gjatë gjykimit, i’u ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.
Kundër vendimit lejohet apel brenda afatit ligjor, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar…”

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

Ndryshimin e vendimit nr.75, datë 13.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si më poshtë:

Deklarimin fajtor të të pandehurës J.D., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259, paragrafi dytë i Kodit Penal dhe dënimin e saj me 4 (katër) vjet burgim.

Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurën J.D. me 2 (dy) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.

Në aplikim të nenit 35 pika 1 të Kodit Penal, heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurën J.D. për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh.

Deklarimin fajtor të të pandehurës L.Sh., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, paragrafi dytë, në lidhje me 25 të Kodit Penal dhe dënimin e saj me 1 (një) vit burgim.

Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurën L.Sh. me 8 (tetë) muaj burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit V.T., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, paragrafi dytë, në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin V.T. me 8 (tetë) muaj burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit S.Sh., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, paragrafi dytë, në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin S.Sh. me 8 (tetë) muaj burgim.

Lënien në fuqi të vendimit për pjesët e tjera të tij.

Shpenzimet gjyqësore në apel i ngarkohen të pandehurve apelues solidarisht.

Sipas SPAK:

Nga aktet e administruara ka rezultuar se e pandehura Joana Duro, me funksionin e lartë shtetëror, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka përfituar në mënyrë të parregullt vlerën monetare prej 330.000 (treqind e tridhjetë mijë) mijë lekë për të favorizuar shoqërinë “Dricons” sh.p.k, e cila ka fituar fazën e parë të tenderit të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për LOT 1,”Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në Qarqet Tiranë dhe Durrës, me fond limit 805.872 lekë”.

Nga hetimi me metoda speciale është dokumentuar fakti i dërgimit të shumës së parave prej 330 000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë nga ana e të pandehurës Laura Shteto tek e pandehura Joana Duro, kjo e fundit me detyrë Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Kjo shumë parash i është dorëzuar të pandehurës Joana Duro në zyrën e saj në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku dhe është bërë kapja në flagrancë e saj dhe sekuestrimi i kësaj shume monetare.

Nga hetimi ka rezultuar e provuar se se kjo shumë parash është dhënë si përfitim i parregullt nga i pandehuri Vladimir Topi, me detyrë administrator i operatorit ekonomik “Dricons” sh.p.k, i cili ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Gjithashtu, rezulton se i pandehuri Silvi Shehi, me detyrë inxhinier pranë operatorit ekonomik “Dricons” sh.p.k, pas komunikimit me administratorin e kësaj shoqërie, të pandehurin Vladimir Topi, ka marrë shumën e parave prej 330.000 (treqind e tridhjetë mijë ) lekë nga i pandehuri Vladimir Topi dhe ja ka dërguar të pandehurës Laura Shteto, e cila më pas i ka dërguar tek Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Joana Duro, kjo e fundit e kapur në flagrancë me shumën e vlerës monetare të përfituar në mënyrë të parregullt. Hetimet në lidhje me procedimin penal të ndarë vazhdojnë për fakte penale të tjera.

Skema e korrupsionit

Vladimir Topi dhe inxhinierin Silvi Shehi dyshohet se janë personat që ndërhynë duke i dhënë Joana Duros, 330 mijë lekë ryshfet që ajo të ndikonte për t’i shpallur fitues në tenderin për rikonstruktimin e qendrave shëndetësore. Fituesi i tenderit me fond limit 805 mijë lekë është shpallur në 1 qershor, ndërsa SPAK ka ndërhyrë në datën 2 qershor teksa u dha ryshfeti.

Prokuroria e Posaçme thotë se pas hetimeve, rezulton se ka qenë Vladimir Topi, i cili i ka dhënë Duros 330 mijë lekët që ta favorizonte në tenderin e hapur nga Ministria e Shëndetësisë. Sa i takon, inxhinierit të kompanisë, Silvi Shehi, ai ka marrë shumën prej 330 mijë lekë dhe ia ka dërguar Laura Shtetos, specialiste e Nivelit të Lartë në Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara. Shteto dhe inxhinieri i kompanisë ‘DRICONS’ kanë bërë lidhjen mes sekretares së Shëndetësisë dhe administratorit Vladimir Topi. Shteto pasi ka marrë lekët nga inxhinieri i kompanisë “DRICONS”, ia ka dërguar sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re