Ndërroi jetë në burg, atje ku e kaloi shumicën dërrmuese të jetës së tij. U dënua disa herë, sepse tentoi arratisjen dhe revoltën ndaj regjimit që e burgosi për plot 43 vite, më shumë se çdokush tjetër.

Kjo është historia e Sami Dangëllisë. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, Samiu në vitin 1943 shkon në luftë kundër pushtuesve duke u angazhuar me forcat partizane. Shkëputet prej tyre pas pak muajsh dhe i bashkohet në tetor të vitit ’43 forcave të Ballit Kombëtar. Kjo ishte dhe arsyeja se përse kur komunistët morën pushtetit, e konsideruan ‘armik’ e ‘tradhëtar’.

Samiu në rini, përpara se të arrestohej

Në gjyqin e mbajtur nga Gjykata Ushtarake e Korçës (tetor 1945), Samiu u gjykua si armik populli dhe u dënua me burgim të përjetshëm (101 vite). Pasuritë iu sekuestruan një muaj më vonë. Samiu qëndroi në burgun e Korçës e mandjen në burgun famëkeq të Burrelit. 9 vite më vonë, në vitin 1954, ai do të dilte nga burgu, por sigurisht jo sepse kishte fituar lirinë. Samiu u internua në Shtyllas të Fierit e më tutje në Vlorë e Lushnje. Bëri punë të rënda dhe qëndroi nën izolim. Kjo ishte periudha e vetme ku Samiu nuk ndodhej pas hekurave.

Vendosi që të shpëtojë prej izolimit dhe tentoi arratisjen. Nuk shkoi dot më larg sesa fshati Nikolicë i Korçës, atje ku u arrestua sërish. Kësaj here dënimin për të, të dytin, e dha gjykata ushtarake e Tiranës. 25 vite burg dhe konfiskim pasurie. Por kësaj here, ai nuk kishte më asnjë lloj pasurie, përveçse ëndrrës për liri.

Samiu iu rikthye sërish uniformës së burgut dhe trajtimeve çnjerëzore me të cilat përballeshin të burgosurit nën regjimin komunist. Shkoi sërish në Burrel, atje ku të burgosurit e tjerë i vendosën nofkën “babagjyshi”.

Pas disa kohësh Samiu transferohet në burgun e Spaçit. Ishte mbi 50 vjeç kur atje shpërtheu revolta e majit të ’73-it. Sami Dangëllia ishte një ndër protagonistët që u revoltuan kundër regjimit komunist.

Ne te majte Samiu pak kohe pas burgosjes, ne te djathte ne vitet e fundit te jetes

Pas revoltës, ai u gjykua së bashku me organizatorët e tjerë dhe u dënua sërish me 25 vjet burg. Në vitet e fundit të jetës, Samiu u dërgua në kampin e Shën Vasilit (Sarandë). Atje u sëmur dhe ndërroi jetë në moshën 67 vjeçare, në vitin 1987. Sipas disa dëshmive, Samiu u la të dergjej e të vuante për tri ditë, pa u dërguar në spitalin e qytetit, i cili ndodhej pak kilometra larg.

Nipi i Samiut, ka rrëfyer pak vite më parë për mënyrën sesi ishte trajtuar xhaxhai i tij pas vdekjes. Detajet ia kishte treguar një varrmihës në varrezat e Sarandës

“Personi që na ndihmoi kishte punuar varrmihës në varrezat e qytetit të Sarandës. Ai na tregoi se ku ishte, ai na tregoi se ku ndodhej edhe kur kemi shkuar që e kemi gjetur atje ishte i shkruar në një gur zalli, vetëm: Sami Dangëllia. Ai (varrmihësi) e dinte, e mbante mend shumë mirë edhe na e ka treguar historinë sesi ia kanë sjellë, sesi e kanë hedhur nga makina. Atij i vinte keq dhe na tregoi: “Vjen makina e burgut, hap derën nga mbrapa, edhe e marrin një njeri të vdekur edhe as ta kapin me dorë, asgjë, vetëm e hedhin në tokë. Më japin në një letër emrin e tij të shënuar, edhe më thonë: merre fute në një gropë këtë. E mora me sa kisha mundësi- na tregoi varrmihësi- ndërsa njëri nga ata i kishte thënë: nuk ka njeri se kush duhet t’i bëjë shërbimet e këtij. Vendosa një gur, shënova emrin dhe që prej asaj kohe, ky është varri”.

Kishte qenë i prangosur në ato çaste?

Unë mbaj mend kur ne e kemi nxjerrë, ka qenë kështu… pozicion fetal, tel tek duart, edhe tek këmbët, skeleti kishte ngelur dhe ai e kishte hedhur në këtë pozicion. “Siç e mora, tha, unë kështu e kam lënë në këtë pozicion”. Ne e morëm, e nxorëm, e futëm në një arkivol të vogël, vetëm eshtrat ishin sigurisht, edhe erdhëm këtu. Kjo ka ndodhur në vitin 1996.“rrëfeu nipi i Samiut.

Burimi: Kujto.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re