Kreu i deputetëve socialistë, Taulant Balla reagoi ndaj një video të shfaqur në Opinion nga deputeti demokrat Salianji, ku, njeriu që pretendohet se ka aktruar zërin e Agron Xhafajt, Fredi Alizoti, shfaqej duke implikuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe vetë Ballën, sipas së cilit këto dy persona e kanë kontaktuar për shërbim në funksion të audio-përgjimit “Babale”, pra kunatit të tij Albert Veliu.

Balla mohoi gjithçka, duke e pagëzuar videon e shfaqur nga Salianji si “Babale 2”

 “Prokuroria po bën një punë të shkëlqyer në zbardhjen e kësaj çështje dhe të vazhdojë hetimin deri në fund, edhe për videoja të tjera të servirura, por personat që nxjerrin videot nuk duhet të ikin kur prokuroria shkon t’u marrë provat që nxjerrin. 

Rasti i mbrëmshëm i Salianjti nga Tv Klan, duke vënë në rrezik edhe rojet e televizionit në largim e sipër, është një rast i turpshëm, sepse detyra jonë ose më mirë ne politikanët, duhet të jemi shembulli i parë që në momentin që vihemi në dijeni të një prove të përfshirjes në një vepër kriminale duhet të jemi ne të parët që ta marrim provën dhe ta çojmë në Prokurori. Në rastin konkret, Salianji apo Luli si master regjisori i kësaj historie në vlerësimin tim rrezikon një vepër penale, atë të fshehjes së krimit”, deklaroi Balla.

Komentet e tij u bënë pas seancës me kryedemokratin Basha, të cilin e ka akuzuar për shpifje në lidhje me cështjem “Toyota”.

“Besoj se sot po i bëjmë një shërbim politikës shqiptare për të ndarë përfundimisht shpifësit nga e vërteta dhe në rastin në fjalë unë e dija dhe ju e dini që Basha ka fobi nga këto godinat dhe nuk e di që do të paraqitet, pavarësisht se burrirësht duhet të vijë të përballet.

Unë do t’i shkoj deri në fund këtij procesi dhe jam i bindur që në fund do të fitoj një vendim gjykate që nuk do të më vlejë vetëm mua, por edhe PD-së”, shtoi zyrtari i lartë socialist.

Pak më vonë, ndaj videos me fjalosjen e shtetasit Alizoti reagoi dhe kryepolici Ardi Veliu. Ai tha se nuk e kishte takuar ndonjëherë shtetasin Fredi Alizoti dhe se ajo çfarë thuhej në video ishte krejtësisht e pavërtetë.

Ka qenë një deklaratë e fundi e Policisë së Shtetit ku thuhet se “Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk ka qenë për asnjë rast, në asnjë rrethanë dhe në asnjë cilësi shoqërues, kontaktues apo në çdo formë tjetër i shtetasit Alfred Alizoti.

Atë që ky i fundit deklaron në një video të regjistruar në mënyrë të fshehtë dhe e prezantuar publikisht nga deputeti Salianji, është fund e krye E PAVËRTETË.

Për këdo të interesuar është lehtësisht i verifikueshëm fakti se Drejtori i Përgjithshëm në ditën që shtetasi Alizoti është shoqëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ka qenë me angazhime të tjera.

Me përgjegjësi publike deklarojmë se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në asnjë rast nuk është përfshirë në veprime procedurale në lidhje me hetimin e çështjes të ashtu-njohur publikisht si çështja ‘Babale’”, thuhet në deklaratë.

 

 

 

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re