Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Loran Dushën, ish-administratorin e inceneratorit të Fierit.

Dusha u ekstradua në Shqipëri dy ditë më parë nga Zimbabve, ku ishte arrestuar pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar për çështjen e aferës së inceneratorëve, një ndër dosjet më të diskutuara të korrupsionit në vend.

Ai akuzohet për përfshirje në shkelje të rënda ligjore gjatë administrimit të kontratave për ndërtimin dhe operimin e inceneratorit të Fierit, një projekt që prej kohësh është nën hetim nga SPAK.

Njoftimi i policisë per esktradim

Vijon operacioni policor ndërkombëtar “The Wanted”.

Falë bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Harare, u bë e mundur lokalizimi, kapja dhe ekstradimi nga Zimbabve, shtet në Afrikën Jugore, i shtetasit shqiptar L.D, 42 vjeç, lindur në Lushnjë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në vitin 2022, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, të kryera në bashkëpunim.

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi L. D., në cilësinë e administratorit të një kompanie private, ka përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme, përmes faturave dhe pagesave fiktive, për punë dhe shërbime të pakryera.

Pas mbërritjes në Shqipëri, 42-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Policia e Shtetit është maksimalisht e angazhuar në bashkëpunimin ndërkombëtar për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve shqiptarë që fshihen jashtë vendit, me qëllim shmangien nga drejtësia

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko