Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ekzekutimi i 30-vjeçarit, Kristin Marku, i cili u qëllua me breshëri plumbash në autostradën që lidh Fierin me Vlorën, në afërsi të Novoselës.
Viktima Kristian Marku mësohet se ka qenë në Tiranë para se të nisej për Vlorë, ndërsa ka lëvizur i vetëm me automjetin e tij.
30-vjeçari ka vjehrrin në qytetin e Vlorës, por ende nuk dihet se kë po shkonte për të takuar atje.
Ndërkohë targat e automjetit të atentatorëve rezultojnë të vjedhura disa ditë më parë, po në qytetin e Vlorës.
Targat i përkasin një oficeri policie, ndërsa për makinën e autorëve ende po hetohet ku është vjedhur.
NGJARJA
Referuar të dhënave të policisë së Vlorës, 30-vjeçari është ekzekutuar me armë zjarri në afërsi të fshatit Novoselë, në autostradën Fier-Vlorë. Viktima i identifikuar si Kristian Marku (Bardhi) mësohet se po lëvizte me makinë tip “Volkswagen”.
Drejt 30-vjeçarit fillimisht rezulton të jetë qëlluar pranë një vendndalimi të autostradës, ku dhe janë gjetur 9 gëzhoja, ndërsa një gëzhojë tjetër është gjetur në makinën e viktimës, e cila ishte e ndaluar rreth 1 kilometër poshtë vendpushimit. Këto rrethana kanë ngritur dyshimet se 30-vjeçari nga Mirdita është qëlluar teksa ka qenë i ndaluar në vendndalimin e autostradës dhe ka tentuar të largohet, apo se është qëlluar edhe në ecje e sipër.
Gjurmët e lëna tregojnë se ai është ndjekur për rreth 1 kilometër nga atentatorët, që më pas kanë marrë rrugën në drejtim të Fierit, ku edhe kanë djegur makinën, që dyshohet se ishte e vjedhur.
Atentatorët dyshohet se kanë qenë të paktën 3 persona, por policia nuk bëri me dije të kishte gjetur armë në mjet, çka përjashton edhe mundësinë e hamendësimit në lidhje me numrin e personave që kanë marrë pjesë në vrasje.
Policia ka nisur krehjen e zonës, ka kryer shoqërimet e para, ndërkohë që janë marrë edhe disa pamje nga kamerat e bizneseve me qëllim se mos mundësohet ndonjë pamje nga atentatorët. Dyshohet se është qëlluar pa zbritur nga makina, e për pasojë policia do ta ketë të vështirë gjetjen e ndonjë pamjeje edhe nëse autorët kanë qenë të pamaskuar.
LEXONI EDHE: Viktima e atentatit në autostradën Fier- Vlorë, lidhje familjare me Martin Bardhin! Si tentuan të eliminonin nipin e Kastriot Reçit rreth dy vite më parë, në Mirditë! Skeda e Kristian Markut
HAKMARRJA, PISTA KRYESORE
Më 27 shtator të 2023-it në qytetin e Rrëshenit ndodh një masakër. Nga një mjet fuoristradë hapet zjarr jashtë një lokali, ku në një tavolinë do të gjendej xhaxhai i Kristit, viktimës së djeshme, Martin Bardhi. Në tavolinë me Bardhin ishin edhe tre persona të tjerë, të cilët u plagosën, dy prej të cilëve rëndë, por arritën të mbijetonin, ndërsa Martini ndërroi jetë në tavolinën e lokalit të tij ku kishte dalë të pinte kafenë e mëngjesit.
Mjeti i vrasësve kaloi para godinës së policisë, si thuajse në të gjitha rastet e përplasjeve gjoksore mes dy fiseve Reçi e Bardhi që iu kanë marrë jetën shumë djemve e burrave, i radhës mbrëmë, vetëm 30 vjeç. Policia gjeti makinën duke u djegur, mblodhi disa gëzhoja në vendin e ngjarjes dhe disa të tjera që u gjenden në mjetin e vrasësve, mori në pyetje disa persona, mes të cilëve edhe nipin e Reçëve, Saimirin, i cili ishte konfliktuar, sipas tij rreth 6 muaj më parë me Martin Bardhin, Kristianin dhe djalin e Martinit.
Në fakt, për ngjarjen që denoncoi Reçi aso kohe, Martin Bardhi u arrestua, ndërsa Kristiani u shpall në kërkim. Kristiani mundi t’i shmangej arrestimit, ndërsa Bardhi u ndalua dhe pas hetimeve ai u lirua nga burgu, për tu ekzekutuar mëngjesin e 27 shtatorit. Grupi hetimor nga policia dhe Prokuroria e Vlorës që kanë marrë në duar hetimet e atentatit të një ditë më parë janë kthyer pikërisht në hakmarrjen disa vjeçare mes familjeve Reçi e Bardhi për të kërkuar motivin dhe edhe autorët e pritës fatale që i mori jetën Kristianit!/Gazeta Panorama