Është zgjedhur gjyqtarja që do të vendos mbi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për nisjen e gjykimit ndaj Kryebashkiakut të Rrogozhinës Edison Memolla dhe 3 personave të tjerë.

Mësohet se kërkesa e SPAK, që e akuzon kryebashkiakun e Rrogozhinës për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, do të shqyrtohet nga Flora Hajredinaj.

Seanca do të zhvillohet më datë 15 nëntor në orën 09:30 në Gjykatën e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Disa ditë më parë Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar dërgimin për gjykim të procedimit penal nr.57 të vitit 2022, në ngarkim të të pandehurve: Edison Memolla me detyrë Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, Ndriçim Tafxhafa, Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku.

Sipas SPAK, Memolla në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022, ndikon tek i pandehuri Blerim Xhamani me detyrë elektriçist pranë FSHU Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022, si dhe komunikon me të pandehurin Blerim Xhamani, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, në këmbim të votës.

I pandehuri Ndriçim Tafxhafa, i ka premtuar një shtetaseje për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, duke i kërkuar të votonte në favor të një kandidati të caktuar në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të zhvilloheshin në Rrogozhinë në datën 6 mars 2022.

Gjithashtu të pandehurit Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme, pasi nuk ia kanë ndërprerë faktikisht energjinë elektrike abonentit debitor.

Biseda telefonike:

Kryetari: Alo!

Zonja: Alo!

Kryetari: Përshëndetje!

Zonja: Përshëndetje!

Kryetari: Si jeni?

Zonja: Mirë, po ti?

Kryetari: Më fal se nuk më del numri.

Zonja: E di që nuk del numri? nuk e ke numrin tim ti, prandaj nuk të del.

Kryetari: Po më thuaj?!

Zonja: Unë jam goca e ?

Kryetari: Çfarë halli kishe?

Zonja: Të thashë unë ty atë ditë për dritat, se më kanë ardhur për të më prerë dritat

Kryetari: Eee? t?i prenë?! I thashë unë atij çunit.

Zonja: Jo, ai çuni është aty përjashta Unë s’kam mundësi të paguaj.

Kryetari: Po a është aty ai çuni? Foli të dali njëherë në telefon.

Zonja: O Land, ku iku ai çuni?! Na çoje një çikë telefonin, t’i foli atij xhaxhi kryetari. Prit një sekondë se ka shkuar atje te shtylla (zonja shkon çon telefonin tek elektricisti).

Një djalë: O xhaxhi, na foli pak xhaxhi kryetarit.

Elektricisti: Kujt kryetar?

Djali: Të Rrogozhinës, po kush?.

Elektricisti: Alo.

Kryetari: Alo.

Elektricisti: Urdhëro?

Kryetari: Çfarë bën, qysh je? Edi jam.

Elektricisti: Oo Rimi jam o Rimi?

Kryetari: O Rim, ça bën o, a do ia prisni, po lene të kalojë këtë muaj o burrë.

Elektricisti: Po e kaloj këtë muajin, po muajin tjetër?!

Kryetari: Po muajin tjetër, shohim e bëjmë? Shif t’i maRrim ato, ça kemi me i marrë, se jemi në zgjedhje.

Elektricisti Rimi: E di, e di, po ça të bëjmë ne?

Kryetari: Po hajde se ia jap unë një muaj, sa lek ka?

Elektricist Rimi: Po ajo ka pesë muaj, sikur ka një muaj ajo.

Kryetari: Po paguaj një unë, pastaj të tjerat sa t`ia shtysh në qoftë se ke ndonjë problem aty.

Elektricisti Rimi: Problem e kemi ne se na kanë heqë nga dy javë të punës.

Kryetari: Pse, se s`keni pre eee?

Elektricisti Rimi: Po.

Kryetari: Hajde se do diskutojmë një çikë me Edin, lëre sot, se do flas çik me Edin unë.

Elektricisti Rimi: Mirë..

Kryetari: Apo e ke raportuar ti?

Elektricisti Rimi: Për sot e kam lënë vetë unë e nja dy-tre ditë..

Kryetari: E mirë, të flas me Edin unë, të flasi me ato të mëdhenjtë që të mos ju bezdisin.

Elektricisti Rimi: Mirë po iki.

Kryetari: Hajde.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re