Policia ka dhënë detaje në lidhje me të renë e gjetur mëngjesin e kësaj të mërkure pa shenja jete poshtë urës së Dajlanit, në Durrës.

 

Blutë bëjnë me dije se viktima është identifikuar si 32-vjeçarja Luljeta Preza, banuese në Sukth të Durrësit.

 

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera paraprakisht nga grupi i posaçëm i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe nga ekspertët e mjekësisë ligjore, si dhe nga këqyrja e trupit të pajetë të 32-vjeçares, dyshohet se kjo shtetase e ka humbur jetën për shkak të dëmtimeve të marra në trup, nga një mjet prerës.

 

Deri më tani, në ambientet e Policisë së Durrësit, janë shoqëruar 17 shtetas të cilët dyshohet se kanë dijeni për këtë rast.

 

Ndërkohë, grupi hetimor vijon hetimet e thelluara për të dokumentuar plotësisht rrethanat e këtij rasti, si dhe për të përcaktuar autorësinë e tij.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re