Skip to content

U gjet i vet*varur në qeli në burgun e Peqinit, kush është Ëngjëll Ucaj, i cili ekzekutoi të birin dhe gruan e tij shtatzënë! Historia e një prej krimeve më të rënda brenda familjes ndodhur 11 vjet më parë

engjell ucaj

Ëngjëll Ucaj, 11 vjet më parë, ishte një nga personat që tronditi opinionin publik me aktin e tij të vrasjes së trefishtë.

Ai i mori jetën të birit 27 vjeç dhe nuses së tij italiane, e cila ishte shtatzënë dhe priste ta bënte gjysh. Një nga historitë më të trishta familjare ku konflikti u tha se nisi për shtëpinë mes babë e bir, po, në fakt, konflikti kishte nisur për lidhjen në martesë të të birit me vajzën italiane.

Ëngjëll Ucaj nuk e pranoi kurrë këtë version, ai akuzoi të birin dhe nusen të vdekur për shumëçka në atë konflikt, ndërsa vetë u dënua vetëm me 25 vjet burg, por dje ai është gjendur i pajetë në qelinë e tij. Burgjet bënë me dije zyrtarisht se ishte vetëvarur!

Referuar të dhënave zyrtare u bë me dije se: Është gjendur i varur në dhomën e tij i dënuari Engjëll Kol Ucaj, i lindur më 20 shkurt 1946 në Krujë dhe banues në Elbasan. Ucaj, i dënuar me 25 vite burg për veprat penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese” dhe “Armëmbajtje pa leje,” sipas neneve 79/dh dhe 278/2 të Kodit Penal, ishte pranuar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Peqin më 20 qershor 2023.

Pas gjetjes së tij nga punonjësit e policisë, Ucaj u transportua menjëherë në urgjencën e spitalit të Peqinit, ku, pas përpjekjeve të mjekëve nuk arriti t’ia dalë. Ky i dënuar ishte përgjegjës për vrasjen e djalit të tij 27-vjeçar, Sokol Ucaj dhe bashkëshortes së tij shtatzënë, ngjarje kjo e ndodhur në 30 janar të vitit 2013. Nga ana e IEVP-së Peqin janë vënë në dijeni autoritetet përkatëse për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

NGJARJA TRONDITËSE

Ngaqë i biri dhe nusja e tij u ekzekutuan me kallashnikov nga babai, ngjarja, në fakt, u transmetua në disa versione. Por ajo që ishte edhe më e rëndë në lidhje me tragjedinë e trefishtë ishte fakti se në dijeni të konfliktit të tyre të vazhdueshëm kishte qenë edhe Policia e Elbasanit.

U tha se historia e konfliktit mes Ëngjëll Kol Ucaj dhe të birit nisën pas kthimit të Sokol Ucajt nga Italia bashkë me të fejuarën e tij italiane. Herë pas here kryefamiljari i kërkonte llogari të birit që ishte i papunë, ndërsa vetë ai ka deklaruar se djali e dhunonte. Policia asnjëherë nuk e pranoi.

As nëna e Sokolit, gruaja e vrasësit. Por hera e fundit ka qenë më 30 janar 2013, ditën e krimit të trefishtë, kur pas një grindjeje Ëngjëll Ucaj denoncoi në polici për dhunë të birin. Pastaj u tha se pas kthimit në shtëpi atë e bir u përplasën fizikisht dhe sipas të moshuarit, i detyruar nga dhuna, mori armën dhe qëlloi ndaj të birit e më pas edhe ndaj shtetases italiane.

Madje kur Ucaj ra në duart e policisë dhe u pyet se ku e kishte marrë armën ai deklaroi se automatiku që përdori për kryerjen e vrasjes ndodhej në shtëpinë e tyre pasi e kishte sjellë i biri disa ditë para krimit!

Pas më shumë se 11 vjetësh babai vrasës i dha fund jetës në qeli, ndërsa aso kohe, në banesën që u tha ishte sherr mbeti e vetme me kufomat e tij, bashkëshortja e tij, e cila priste të vinte djali i vetëm i saj të kryente ceremoninë e varrimit!

/Gazeta Panorama

“”