Biznesmeni italian, Davide Pecorelli u gjet mbrëmjen e djeshme në një ishull të Italisë, tetë muaj pasi ishte zhdukur nga Shqipëria.
Sipas mediave italiane, Pecorelli u gjet në një gomone në mes të detit në brigjet e ishullit Montecristo.
Atij iu prish motori i gomones në mes të detit, dhe është ndihmuar nga karabinierët e komandos komunale të Grosetos për të dalë në breg.
Biznesmeni italian mori me qira gomonen në ishullin Giglio dhe u nis drejt ishullin Montecristo, për arsye ende të paqarta. Në këtë ishull është e ndaluar hyrja.
Më pas, ai u dërgua mbrëmjen e djeshme të flinte në kazermë ku u prezantua me emrin e tij të saktë, Davide Pecorelli.
Vetëm këtë mëngjes, karabinierët arritën të identifikojnë se kush ishte biznesmeni. Mësohet se Davide Pecorelli do të paraqitet për të dëshmuar në Prokurorinë e Peruxhias.
Mbi sipërmarrësin italian nuk kishte asnjë lajm që nga fillimi i janarit të këtij viti, kur ai shkoi për biznes në Shqipëri. Makina që ai mori me qira në aeroportin e Tiranës, një “Skoda Fabia’, u gjet e shkrumbuar natën e 7 janarit, pranë Pukës. Në automjet u gjetën edhe disa eshtra, por pas ekzaminimeve nuk dolën rezultate për zbardhjen e ngjarjes.