Avokati Sokol Mëngjesi u dhunua dje brutalisht në zonën e ish-Bllokut sapo kishte çuar fëmijën në kopsht.

Ngjarja ndodhi sapo avokati la djalin në kopsht në rrugën “Pjetër Bogdani” në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë. Avokati i ish-kryeministri Sali Berisha raportohet se në momentin që kishte lënë fëmijën në kopshtin në zonën e ish-Bllokut, autorët i janë afruar dhe e kanë goditur fillimisht me grushte e pastaj me sende të forta.

4 autorët e dhunës së avokatit Sokol Mëngjesi sipas policisë janë Romario Tabaku, Elton Kasaj 33 vjeç dhe vëllezërit Drivald Alia 21 vjeç e Dorian Alia 19 vjeç. Elton Kasaj është kushëri me vëllezërit Alia. Ngjarja ndodhi rreth orës 08:50 pranë banesës së avokatit në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Ndërkohë policia ka sekuestruar kamerat për të identifikuar autorët e ngjarjes dhe janë marrë në pyetje dëshmitarët në vendngjarje. Sapo të mbarojë së marri mjekimin e nevojshëm, ai do të merret në pyetje nga uniformat blu.

Sipas burime, Mëngjesit i janë shkaktuar fraktura në kokë. Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, njoftoi dje se 4 autorët e sulmit janë Romario Tabaku, Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Dorian Alia, ky i fundit u vetëdorëzua në momentin kur po jepej konferenca për shtyp. Tonin Vocaj sqaroi të gjithë dinamikën e ngjarjes, ndërsa sqaroi se Romario Tabaku i ka larguar autorët e ngjarjes me një makinë “Audi”.

Sipas Vocajt, avokati Sokol Mëngjesi është dhunuar nga 4 personat për shkak të detyrës.

“Sokol Mëngjesi është goditur për shkak të detyrës. Avokati ka përfaqësuar ligjërisht në një proces civil në shkallë të parë dhe në Apel një familje që kishte të trashëguar një pronë në Tiranë. Proces i cili është fituar nga pala e përfaqësuar nga ai. Disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të kontratës së nënshkruar me studion ligjore.

Është shoqëruar shtetasi Dritan Jani Nano 58 vjeç banues në Tiranë, i cili u ndalua me iniciative, i dyshuar si organizator i kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale”, – tha Vocaj.

Po ashtu, policia vë në dispozicion 20 mijë euro kush jep informacion që çojnë në kapjen e tyre. Avokati u dërgua në Spitalin e Traumës në kryeqytet, ku po merr ndihmë mjekësore dhe vazhdon të jetën në monitorim intensiv nga stafi mjekësor në reanimacion në gjendje të rëndë shëndetësore.

Mëngjesi është diplomuar në vitin 2004 në Fakultetin e Drejtësisë Democritus në Greqi. Ka qenë dekan në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe prej 2010 është pedagog në Departamentin e së Drejtës Penale të këtij fakulteti.

Ndërkohë ushtron dhe profesionin e avokatit duke mbrojtur ish-kryeministrin Sali Berisha në dosjen e aferës së privatizimit të sport klub “Partizanit”, për të cilën po hetohet për akuzën e korrupsionit. Gjithashtu, është dhe avokat i Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos në dosjen e inceneratorit të Tiranës. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, deklaroi se Policia po punon për zbardhjen e ngjarjes.

“Lexoj që zotëria i penxheres së drejtësisë ka lëshuar zëdhënësit e gënjeshtrave të tij për të sulmuar kryeministrin si urdhëruesin e një sulmi kriminal ndaj njërit prej avokatëve të tij, zotit Sokol Mëngjesi. Ngjarja e ndodhur në mëngjes është në ndjekje nga Policia e Shtetit, e cila tanimë ka identifikuar njërin prej të tre autorëve dhe po punon për identifikimin e dy të tjerëve. Kam komunikuar edhe personalisht me kolegët e avokatit sapo kam marrë dijeni dhe i falënderoj për disponimin qytetar në funksion të sqarimit të ngjarjes. Kam komunikuar edhe me mjekun që po kujdeset për shëndetin e avokatit. Duke i uruar shërim të shpejtë zotit Sokol Mëngjesi, shpreh keqardhjen që nga kati i 8 hidhet edhe në këtë rast një kazan me helm për publikun, me qëllimi vetëviktimizimin politik të një të korruptuari madhor!”, – tha Balla.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re