20 ditë më parë mori gradën Gjeneral Brigade. Dhe menjëherë pas kësaj fluturon drejt Tiranës për tu vendosur në krye të Forcave Detare shqiptare. Bëhet fjalë për Gjeneralin Ilir Xhebexhia.

Ministrja Olta Xhacka në një ceremoni në ambientet e ministrisë së Mbrojtjes, njofton se forcat Detare do të drejtohen nga Xhebexhia.

“I uroj suksese komandantit të ri dhe jam besimplotë për vijimin e modernizimit, që nga investimi te burimet njerëzore, te modernizimi me armatim të anijeve të klasit “Iliria”, e deri te Sistemi i ri i Vëzhgimit Detar. #KrenariPërFD” shkruan Xhacka në rrjetet sociale.

Por vetëm në datën 20 shtator, në përfaqësinë ushtarake të RSH në NATO, ambasadori Visho Ajazi Lika I dha gradën Gjeneral, Ilir Xhebexhias.

Gjeneral brigade Ilir Xhebexhia është një ushtarak me një karrierë të shkëlqyer kudo ku ka shërbyer, si: zëvendëskomandant në Qendrën e Radiozbulimit, shef Sektori i Operacioneve dhe Stërvitjes, në Forcën Tokësore, drejtor i Drejtorisë së Operacioneve dhe Stërvitjes në Shtabin e Përgjithshëm të FA.

Ai mbante postin e zëvendëspërfaqësuesit ushtarak të RSH në NATO si dhe atashe ushtarak i RSH në Mbretërinë e Belgjikës, jo-rezident në Republikën e Francës, përpara marrjes së detyrës së re.