Prej afro një jave banorët e fshatit Gjoricë në Bashkinë e Bulqizës janë pa ujë të pijshëm. Kjo ka ardhur si rezultat i ndërprerjes së rrjetit të ujësjellësit pasi nga analizat e para rezultoi i infektuar. Dhjetra banorë të kësaj njësie administrative përfunduan në spitale për shkak të problemeve shëndetësore që erdhën si rezultat i ndotjes së ujit të rrjetit të ujësjellësit.

 

Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Bulqizë nëpërmjet sektorit të higjenës ka kërkuar ndërprerjen e furnizimit me ujë nga rrjeti deri sa të zgjidhet problemi në veprën e marrjes ku dhe u shkaktua ndotja. Ndërkohë, banorët i janë rikthyer konsumimit të ujit të puseve dhe burimeve natyrale, ndonëse as me këto nuk ndjehen të sigurtë. Ata kërkojnë që situata të zgjidhet sa më parë dhe të vendosen roje pranë depove të ujësjellësit në mënyrë që të mos përsëritet më i njëjti problem.

 

Dhjetra banorë të Gjoricë përfunduan fundjavën e kaluar në spitale për shkak të konsumimit të ujit të pijshëm. Për këtë prokuroria ka nisur hetimet dhe ka proceduar penalisht në shtetasin Kadri Muça i cili dyshohet se ka montuar një tub me ujëra të ndotura në rrjetin e ujit të pijshëm.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re