Këshilli i Ministrave ka vendosur mbulimin e shpenzimeve të mjekimit për mjekun Arvin Dibra, në shumë dy milionë lekë të reja.

Ky vendim vjen disa muaj pasi mjeku kirurg i QSUT-së, mbeti i plagosur aksidentalisht më 10 gusht kur u hodh në lumin Buna për t’u larë dhe u përplas me gurët në thellësi, duke shkaktuar dëmtime serioze. Pas ndihmës së marrë në Shqipëri, ai më pas u nis drejt Italisë për trajtim të mëtejshëm.

Gjendja shëndetësore e doktorit, i cili ka gjithashtu nënshtetësi italiane, nisi të përmirësohej pas një ndërhyrjeje kirurgjikale të suksesshme për të trajtuar dëmtimet në pjesën e qafës dhe rruazat e lidhura me shtyllën kurrizore, por vijon të ketë nevojë për trajtim.

Prof. Dr. Arvin Dibra aktualisht mban postin e Shefit të Klinikës 1 Kirurgjikale në QSUT dhe drejtues i Departamentit të Kirurgjisë në Universitetin e Mjekësisë.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, dhe në vijim të vendimit nr.15, datë 9.1.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2025”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të z. Arvin Dibra, në masën 2 000 000 (dy milionë) lekë.
2. Ky fond të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
3. Pagesa të bëhet me paraqitjen e faturave përkatëse të institucionit të kurimit.
4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko