Një ngjarje shqetësuese ndodhi mbrëmjen e djeshme në ambientet e maternitetit në Sarandë, atje ku një grua rreth 35 vjeçe, u hodh nga kati i dytë i godinës së bashku me foshnjen e porsalindur.

Fatmirësisht foshnja nuk mori lëndime, ndërsa e ëma nga ana tjetër, ka pësuar lëndime. Siç shpjeguan autoritetet e spitalit të Sarandës, përmes këtij njoftimi:

“Lidhur me ngjarjen e rende te nenes se re dhe foshnjes ne Maternitetin e Sarandes, ju informojme se, nenes dhe foshnjes i eshte dhene menjehere ndihma e pare shendetesore nga ekipi mjekësor i spitalit. Pas vleresimit klinik, gjendja shendetesore e foshnjes paraqitet mire dhe pa probleme. Pas ekzaminimeve mjekesore te kryera rezulton se nena ka disa fraktura, por eshte jashte rrezikut per jeten. Nena dhe foshnja jane duke marre trajtimin e nevojshem mjekesor ne Spitalin e Sarandes nen kujdesin intensiv te mjekeve”-thuhet në njoftim.

Por përse u hodh gruaja me foshnjen nga kati i dytë? Nga sa kanë zbuluar doktorët e stafi mjekësor, gruaja ka dashur të largohet nga spitali, pasi nuk është banore e Sarandës dhe në qytet ka ardhur për të lypur. Gruaja i përket komunitetit rom dhe ka tentuar të largohet së bashku me foshnjen, kur mjekët e stafi kanë kërkuar informacion mbi vendin ku ajo banonte. Drejtori i maternitetit Tajar Lako, shpjegoi për median se stafi mjekësor nuk mund të lejonte nënën që të dilte me një foshnje pak ditëshe nëpër rrugët e qytetit, në temperaturat e larta.

“Në datën 28 ka lindur. Ka qenë një lindje normale, fëmija i gjashtë. Ka vijuar trajtimi i nënës nga mjekët përkatës. Burri i saj nuk vinte në spital, u kam thënë dhe infermiereve që sa të shikojnë burrin duhet të kontaktojnë. Ne nuk mund ta nxjerrim foshnjën se nuk dimë kushtet e banimit dhe ku t’i conim. Në këto kushte komunikojmë me drejtorin e spitalit dhe i nisim bashkisë një shkresë, ishim në pritje të një përgjigje për adresën e tyre, se nuk mund të nxirrja një fëmijë në temperaturë 40 gradë.  Fëmija gëzon shëndet të plotë, pasi nëna kur ka tentuar të kacavirret, e ka lidhur foshnjen në pjesën e gjoksit, Nuk ka qenë një tentativë për vetëvrasje, por ka qenë një tentativë për t’u larguar nga spitali.”-shpjegoi mjeku.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re