Mjekja e njohur Albana Daka tregoi në studion e “Abc-së së mëngjesit” simptomat që ka kaluar pasi u infektua me koronavirus pak javë më parë.
Ajo shpjegoi se përpos vitaminave me sasi të moderuara, ka përdorur dhe lëng selinoje dhe xhinxher pasi kanë efekte anti-inflamatore.
“Simptomat e para kanë qenë thjesht dy tre ditë me temperaturë 37.2 dhe 37.5 me pak lodhje, në javën e dytë pata thjesht humbje të shijes dhe nuhatjes në mënyrë të moderuar. U karantinova 14 ditë bashkë me fëmijët. Nuk pata simptoma të tjera fyti apo kollë, por pata një gjendje psikologjike të qetë.
Kam filluar të përdor vitamina, i marr çdo vit në muajt e ftohtë pasi dhe imuniteti bëhet më i prekshëm nga sëmundjet stinore.
Vazhdova të merrja vitaminë C nga një gramë në ditë dhe dy javëshin e parë e kalova me 3 gramë, vitaminën D e vazhdova me të njëjtën dozë dhe zinkun por pija lëng selinoje shumë se është një anti-inflamator shumë i mirë për organizmin”, tha Daka.