Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë arrest në shtëpi për Pandeli Bozhën, për babain e kandidates për deputete nën siglën e Partisë Social Demokrate (PSD) pasi u arrestua nën dyshimin për korrupsion aktiv ne zgjedhje, në qarkun Fier.
Ai dyshohet se ka blere vota për vajzën e tij Limonera Bozha. Masa e arrestit në shtëpi është dhënë nga GJKKO për shkak të moshës dhe gjendjes shëndetësore te Pandeli Boshës.
Pas seancës për masën e sigurisë, jashtë ambienteve të GJKKO teksa babai i saj po shoqërohej me masa sigurie drejt banesës, kandidatja për deputete ka deklaruar duke thënë: “Nuk jemi përfshirë kurrë në gjëra të tilla, drejtësia do ta provojë.”
Sipas SPAK, se më datë 8 maj, rreth orës 10:00, Pandeli Bozha është takuar me shtetasin V.L në banesën e këtij të fundit dhe i ka kërkuar mbështetje për vajzën e tij, kandidate për deputete e një subjekti politik në zgjedhjet e 11 Majit 2025.
Në këmbim të mbështetjes, Bozha i ka ofruar shtetasit V.L një shumë parash dhe një fletë të ngjashme me atë të votimit, ku me ngjyrë portokalli, ishte shënuar emri i kandidates që duhej të votohej.
Gjatë kontrolleve të kryera është sekuestruar fleta e ngjashme me atë të votimit dhe një kartëmonedhë.