Policia Kufitare e Vlorës ka kapur në flagrancë duke peshkuar në mënyrë të paligjshme një 56-vjeçar.
Ndaj 56-vjeçarit, i cili po peshkonte me lëndë plasëse ka nisur një procedim penal në gjendje të lirë.
Shërbimet e policisë kanë gjetur 3 kallëpe me lëndë të dyshuar plasëse, me fitil zjarrpërcjellës, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë
Vijojnë kontrollet nga shërbimet e Policisë Kufitare, për parandalimin dhe goditjen e rasteve të peshkimit të paligjshëm, me lëndë plasëse.
U kap në flagrancë duke peshkuar me lëndë plasëse, procedohet penalisht 56-vjeçari.
Sekuestrohen 3 kallëpe me lëndë të dyshuar plasëse, me fitil zjarrpërcjellës.
Në vijim të kontrolleve që kryhen nga shërbimet e Policisë Kufitare, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë detare, zbatimin e ligjshmërisë dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, në vendin e quajtur “Gjiri i Livadhit”, është konstatuar një shtetas duke peshkuar me lëndë plasëse. Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi dhe kontrollit në zonën ku ai po peshkonte, shërbimet e Policisë kanë gjetur 3 kallëpe me lëndë të dyshuar plasëse, me fitil zjarrpërcjellës, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. R., 56 vjeç, banues në Himarë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.



