Një 29-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Erind Garubi, banues në Molfetta ka dalë para Gjykatës së Barit pasi është i akuzuar për përfshirjen në trafikun ndërkombëtar të sasive më të mëdha të drogës mes Shqipërisë e Italisë. Gjykata duket se i ka dhënë mundësinë që të mblidhet me familjarët për mbrëmjen e ndërrimit të viteve pasi i ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Gjyqtari për hetimet paraprake të Gjykatës së Barit, Marco Galesi, vendosi të pranojë kërkesën e mbrojtësit, avokatit Michele Salvemini, duke urdhëruar zëvendësimin e masës nga ‘arrest me burg’ në ‘arrest shtëpie’.
Garubi është i akuzuar për përfshirje në trafikun e drogës si pjesë e operacionit “Kulmi”, kryer nga Departamenti i Hetimit Anti-Mafia i Barit që çoi në arrestimin e 37 personave, 27 në Itali dhe 10 në Shqipëri.
Mendohet se ata janë organizatorët e një trafiku ndërkombëtar kokaine, marijuane dhe hashashi midis dy brigjeve të detit Adriatik, një rrugë historike për depërtimin e drogës në Evropë.
Gjatë hetimit, u sekuestruan rreth 3.5 ton drogë, përfshirë marijuanën, kokainën dhe hashashin, për një vlerë që arrin deri në 40 milionë euro dhe që korrespondon me rreth 7 milionë doza drogë. (A.M/Faxweb.al)
/faxweb
