Një 21-vjeçar shqiptar është dënuar me burgim për më shumë se pesë vjet në Britani, pasi akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike. Bëhet fjalë për shtetasin shqiptar, Edlir Gjoka.

Autoritetet britanike njoftojnë se Edlir Gjoka ishte përfshirë në transportin dhe magazinimin e kokainës dhe heroinës me një vlerë të përllogaritur deri në 200,000 £.

Edlir Gjoka hyri ilegalisht në Britani në janar të vitit 2023 dhe vetëm tre muaj më vonë u bë pjesë e veprimtarisë kriminale në tregtinë e drogës, shkruajnë mediat britanike.

Gjoka u ndalua nga policia britanike teksa po ngiste një makinë të marrë me qira, në Tong Street. Gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit policia i gjeti dhe sekuestroi 635£, dy iPhone dhe dy blloqe me kokainë, që peshonin pak më shumë se një kilogram në total.

Sipas policisë droga që posedonte i riu shqiptar ishte e klasit A dhe kishte një vlerë deri në 100,000 £. Më pas, autoritetet kontrolluan dhe një pronë në Wingfield Street, Bradford, e cila dyshohet se përdorej nga Gjoka, dhe aty gjetën dy blloqe të tjera heroine dhe 14 bimë kanabisi që ishin kultivuar në papafingo.

Heroina gjithashtu peshonte pak më shumë se një kilogram dhe vlerësohej rreth 100,000 £. Gjoka, u deklarua fajtor për akuzat e posedimit të kokainës dhe heroinës me qëllim të furnizimit.

Avokati Justin Rivett, për Gjokën, tha se klienti i tij u kishte borxh disa personave që e ndihmuan të hynte ilegalisht në vend, por ai nuk kishte ardhur këtu me qëllim që të përfshihej në shkelje të drogës.//

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re