Nëse nuk do të ishin kapur duke trafikuar emigrantë me makinën e tyre, një çift bashkëshortësh nga Konispoli do të vazhdonin aktivitetin në fushën e trafikimit të drogës. Operacioni i koduar “Likojani”, çoi në pranga shtetasin Lutfi Faslliu i njohur ndryshe edhe si Lutfi Demçe, si dhe bashkëshorten e tij, Shano Faslliu, e cila ishte në drejtimin e mjetit kur kishte brenda tij emigrantë të paligjshë,.

Gjatë operacionit, Policia sekuestroi edhe një sasi prej 35.6 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në pako, e destinuar për t’u trafikuar jashtë vendit, 1 armë zjarri automatik dhe një sasi municioni luftarak. Lutfi Demçe është person që ka probleme me shikimin, dhe për këtë shkak është dashur ndihma e gruas së tij për të kryer aktivitetin e paligjshëm.

“Në bazë të informacioneve të grumbulluara se këta shtetas ushtronin aktivitetin kriminal të trafikimit të lëndës narkotike kanabis, të cilën synonin ta trafikonin jashtë vendit, si dhe aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve, forcat e Policisë organizuan veprimet dhe bënë të mundur ndalimin e automjetit me drejtuese shtetasen Sh. F., e cila në bashkëpunim me shtetasin L. F., po transportonte 2 emigrantë të paligjshëm, kundrejt shpërblimit monetar, drejt qytetit të Sarandës, me qëllim transitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së”, sqaroi Policia.

Ishte ky arrestim që çoi më pas edhe kontrollin e banesës së tyre.

“Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi prej 35.6 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 1 armë zjarri automatik dhe një sasi municioni luftarak”, thuhet më tej.

Policia tha se vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Demçe dyshohet se kontrollon trafikun e drogës në këtë zonë. Policia kishte më shumë se një muaj që kishte vënë nën vëzhgim çiftin. Ata futeshin në tokën greke dhe merrnin emigrantët.

Mësohet se për një emigrant ata merrnin 300 euro, me qëllim transitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së. Në vitin 2010, ai ishte kapur duke trafikuar nga Greqia drejt Shqipërisë një makinë tip “Mercedes Benz ML”, me targa IOP 3987, që rezultoi e vjedhur në Greqi. Për këtë ngjarje, ai ishte dënuar në atë kohë. sh.d.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re