SPAK ka përfunduar hetimet për shtetasit Denis Xholi me detyrë jurist i Bashkisë Bulqizë dhe Abjon Cekun 25 vjeç, duke dorëzuar për gjykim çështjen penale në ngarkim të tyre.

“Denis Xholi , në bashkëpunim me të pandehurin Abjon Ceku., kanë shpërndarë në Njësinë Administrative Maqellarë shuma monetare tek persona të tjerë, me qëllim përcaktimin e mënyrës së votimit të zgjedhësve, në zgjedhjet parlamentare të zhvilluara në datën 25.04.2021“, thuhet në njoftim.

Po ashtu Denis Xholi gjatë orarit të punës është vënë në mbështetje të kandidatëve për deputetë dhe të subjekteve zgjedhore.

Kujtojmë që simpatizantë të Partisë Demokratike, bllokuan në Maqellarë mjetin me të cilin udhëtonin Denis Xholi e Abjon Ceku. Gjatë kontrollit të policisë u gjetën 5 milion lekë të vjetra, materiale udhëzuese për të votuar dhe postera elektoralë.

NJOFTIMI

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka përfunduar hetimet paraprake për proçedimin penal nr.136 viti 2021, në ngarkim të të pandehurve Denis Xholi dhe Abjon Ceku, me banim në Dibër, të hetuar me masën e sigurimit personal “arrest në burg”.

Nga veprimet hetimore të zhvilluara në kuadër të këtij proçedimi penal janë mbledhur prova me anë të të cilave është provuar se i pandehuri Denis Xholi, në bashkëpunim me të pandehurin Abjon Ceku, kanë shpërndarë në Njësinë Administrative Maqellarë shuma monetare tek persona të tjerë, me qëllim përcaktimin e mënyrës së votimit të zgjedhësve, në zgjedhjet parlamentare të zhvilluara në datën 25.04.2021.

Po kështu, nga hetimet është provuar se i pandehuri Denis Xholi, i cili ka ushtruar funksionin e përgjegjësit të zyrës juridike në Bashkinë Bulqizë, në kundërshtim me parashikimet e nenit 91 të Kodit Zgjedhor, gjatë orarit të punës është vënë në mbështetje të kandidatëve për deputetë dhe të subjekteve zgjedhore.

Në përfundim të hetimeve, i pandehur Denis Xholi është akuzuar se ka kryer veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, të parashikuar nga nenet 328-25 dhe 328/a/1 të Kodit Penal, ndërsa i pandehuri Abjon Ceku është akuzuar se ka kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 328 e 25 të Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme sot në datën 18.10.2021 ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Denis Xholi dhe Abjon Ceku.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re