Skip to content

U kapën me 528.000 lekë në makinë e akuzohen se po blinin vota, reagon LSI: Aktivistët tanë po u mësonin zgjedhësve se si të votonin, po bënin ushtrime zgjedhore

Pas arrestimit të kreut të LSI në Pukë dhe një aktivistë pasi akuzohen se po blinin vota ka reaguar edhe qendra e LSI në Qarkun Shkodër.

Në një deklaratë për median  LSI bën me dije se aktivistët e tyre po u mësonin njerëzit se si të votonin dhe nuk po blinin vota.

“Dega e LSI qarku Shkodër informon e sqaron opinionin publik se ngjarja e ndodhur ne Pukë, ku aktivistë të LSI janë marrë nën hetim nga policia është një situatë që tregon politizimin e tejskajshëm të policisë së Rilindjes.

Aktivistët tanë janë në të drejtën e tyre për të bërë ushtrime zgjedhore, në vijim edhe të praktikave dhe orientimeve të Komisionit Qendror të zgjedhjeve për mënyrën e votimit.

Është skandaloze dhe e turpshme të dërgosh për ndjekje penale aktivistë politikë të cilët duan të bëjnë të njohur mënyrën e votimit, aq më shumë që është një skemë e re, e papërdorur më parë.

Fletët e gjetura janë demonstrative dhe nuk kanë si të jenë origjinale, kur ato akoma nuk janë prodhuar. Ato janë thjesht dhe vetëm orientuese dhe natyrshëm përdoren nga të gjithë subjektet politike.

I bëjmë thirrje policisë të ndalë këtë revansh të turpshëm dhe antiligjor, dhe të investohet e angazhohet në kryerjen e detyrave të veta funksionale”, thuhet në deklaratën e LSI të Qarkut Shkodër. (TemA)