Treshja në krye të Kosovës, Presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe kryeparlamentari Konjufca nënshkuan aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Pas ceremonisë, znj. Osmani ka thënë se kjo është një ditë historike. “Po marrim një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës sonë kolektive. Për Kosovën nuk ka pasur asnjëherë alternativë tjetër, por ëndrrat bëhen realitet vetëm kur veprohet”, ka thënë ajo.

 “Procesi nuk proces i njëtrajtshëm dhe mund të jetë afatgjatë, por ne jemi të vendosur të ja dalim me sukses. Do të bëjmë punën tonë në mënyrë që Bashkimi Evropian të ketë sa më të lehtë të bëjë pjesën e vet”, ka shtuar Osmani.

Ndërsa Konjufca tha se “ky është hapi i parë zyrtar në rrugën e anëtarësimit të Kosovës drejt Bashkimit Evropian, rrugë që ishte e gjatë dhe aspak e lehtë”.

“Ne meritojmë të bëhemi vend kandidat dhe të fillojmë rrugëtimin drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian”, theksoi ai.

Më tej, Kurti tha se progresi do të varet nga përkushtimi për reforma të thella dhe transformuese. “Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne, prandaj angazhimi të gjithëve është i nevojshëm dhe përkushtimi i secilit i domosdoshëm. Pengesat dhe sfidat i kalojmë me zhvillim demokratik”, ka thënë ai.

Por BE ende s’ka reaguar ndaj kësaj lëvizjeje të Prishtinës zyrtare. Ky zhvillim vjen ndërsa në veri të Kosovës ka një tension me natyrë politiko-entike, ku serbët e atjeshëm kanë ngritur barrikada në rrugë, ndërsa Beogradi synon të rifusë trupat në Kosovë që pas vitit 1999.    

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re