Familja Manallari në njësinë 4 në Tiranë, mbeti gjatë ditës së djeshme e pastrehë.

Altin Manallari, në një intervistë për Fax News ka dhënë detaje nga aksioni i IKMT-së, ku tha se iu është bërë presion me qindra forca policie.

Ai tha se nuk kanë bërë asnjë lloj rezistence, pasi zgjidhja nuk mund të jetë vëllavrasja.

Manallari shprehet se banesën e ka me hipotekë, dhe me Bashkinë e Tiranës nuk kanë bërë asnjë lloj marrëveshje për dëmshpërblimin që do të marrin.

“Kemi qenë në shtëpi brenda, unë me antibiotikë, fëmijët me antibiotikë, na kanë nxjerrë jashtë me sekonda. Na kanë terrorizuar, nuk e imagjinoj dot si mund të bëhet në këtë lloj mënyre. Asnjë gjë nuk kemi nxjerrë dot jashtë, vetëm disa rroba kryesore të fëmijëve.

Çfarë rezistence mund të bësh kur aty kanë qenë 2 mijë policë, vetëm me kap armën dhe me vra një polic, mbi të gjitha ata njerëz janë. I bie të vras shokët dhe miqtë e mi, mos i ndodhtë kujt kjo që na ka ndodhur ne.

Jam kthyer nga Gjermania, me jetu në vendin tim, dhe kam ardhur këtu për patriotizëm, e kam një shqiponjë të madhe në shpinë. Ja kemi dhënë votën Erjonit krejt si fis, ja çfarë na ndodhi. Gruan e kam të huaj, zgjidhja është të ikim sërish”, shprehet Altin Manallari.

Anëtarët e tjerë të kësaj familje thonë se janë të lodhur mendërisht, nga zvarritja e proceseve gjyqësore.

“Ne nuk jemi kundër rindërtimit, por nuk kemi marrë garanci se ku do ta marrim banesën”, thonë më tej banorët.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re