Shkaku i vdekjes së 36-vjeçares Margarita Keçi nga Shijaku, për të cilën dy mjekë të qendrës shëndetësore të këtij qyteti po hetohen për ”mjekim të pakujdesshëm” në gjendje të lirë, mbetet ende enigmë.

Në shtëpinë e re, ende të papërfunduar të familjes Keçi në lagjen ”Popullore” dyert e mortit qëndrojnë të hapura. Nëna, motrat, vëllezërit dhe të afërm të tjerë janë në pritje të rezultatit të ekspertizës mjeko-ligjore.

Më 18 gusht Margarita Keçi, punonjëse e një rrobaqepësie, ishte paraqitur 2 herë, në mëngjes dhe pasdite vonë, pranë qendrës shëndetësore duke kërkuar ndihmë mjekësore dhe raport. Një ditë më pas ajo u nda nga jeta në spitalin e Durrësit.

Edhe mjekët e Shijakut e të Durrësit presin përgjigjen e autopsisë për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Në spitalin e Durrësit, ku 36-vjeçarja u dërgua paraditen e 19 gushtit dhe humbi jetën disa orë më pas, mjekët nuk arritën të përcaktojnë një diagnozë për gjendjen e rënduar të saj.

Mjekët hetohen në gjendje të lirë dhe vijojnë normalisht shërbimin pranë kësaj qendre, ndërsa familjarët, në pritje të rezultatit të autopsisë, kanë zgjedhur të heshtin. Nuk ngrejnë akuza ndaj askujt. Margarita jetonte me nënën e moshuar, motrat dhe dy vëllezërit, njëri prej tyre invalid i grupit të parë që kërkon përkujdesje të vazhdueshme.

Tërmeti i shtatorit u shkatërroi shtëpinë, e cila u ndërtuara nga e para nga Emergjencat Civile në Shijak.  Ikja e shpejtë e Margaritës e ka rënduar më tej gjendjen e familjes që muaj më parë humbi dhe babanë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re