Një 49-vjeçar është ndaluar nga policia, pasi u përfshi në një aksident, duke u përplasur me një shtyllë, e më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Burime zyrtare për ‘BalkanWeb’ bënë me dije se bëhet fjalë për Viktor Hoxhën.

Pas këqyrjes së kamerave të sigurisë të bizneseve përgjatë aksit nacional Uznovë-Poliçan dhe pas pyetjes së dëshmitarëve në vendngjarje, policia arriti të zbulojë targat e automjetit luksoz që u lëviz me karroatrec nga vendi i aksidentit.

Automjeti tip BMW seria 7, me targa AA 991 IU dhe ishte në pronësi të shtetasit Robert Pushi, banues në fshatin Dyshnik, por në momentin e aksidentit në timon ishte Viktor Hoxha. Ky i fundit Hoxha është shoqëruar në polici, ku po merret në pyetje në lidhje me shkaqet e aksidentit dhe arsyet e largimit të tij dhe të mjetit nga vendngjarja.

49-vjeçari Viktor Hoxha u përplas mbrëmë me një shtyllë betoni të ndriçimin rrugor në aksin nacional Uznovë-Poliçan.

Menjëherë pas përplasjes ai doli nga makina zvarrë, hoqi targat e mjetit dhe u largua me një automjet tjetër, ndërkohë që 20 minuta më vonë në vendin e aksidentit mbërriti një karroatrec që lëvizi makinën BMW nga vendi i ngjarjes. Sipas burimeve në vendngjarje, Hoxha ka qenë me shpejtësi dhe në kthesë ka humbur kontrollin për shkak edhe të lagështirës në rrugë dhe është përplasur me shtyllën.

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=RXSQ7Ilj4t4]

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re