Kryetari i Partisë Lëvizja Demokratike Shqiptare, Myslim Murrizi, përmes një interviste të dhënë për televizionin Fax News, ka zbuluar detajet e marrëveshjes sekrete që qeveria shqiptare ka nënshkruar me Pfizer.

Murrizi shprehet se pas vëzhgimit që i ka bërë kontratës ditën e sotme, ka zbuluar se kemi të bëjmë me një kontratë përulëse, ku shtetit shqiptar i duhet të pranojë të gjitha kushtet e vendosura nga Pfizer dhe nëse prodhuesi nuk i qëndron kontratës, blerësi nuk mund t’i drejtohet gjykatës për të fituar të drejtat.

Murrizi zbuloi dhe çmimin e vaksinës, ku sipas tij në marrëveshjen e nënshkruar një dozë e vaksinës kushton rreth 12 dollarë.

“Dje nuk kam qenë i informuar, sot jam i informuar plotësisht dhe kam parë të gjithë kontratën me Pfizer e cila u ratifikua ditën e djeshme në parlament pasi është nënshkruar nga qeveria shqiptare. Habitem që një material i tillë të trumbetohet nga qeveria kaq “Top Secret”, është një material kofidencial i thjeshtë.

Kam parë detajimin me faza të kontratës, zgjatshmërinë e afatit deri kur, çmimin e vaksinës, përgjegjësitë që merr kompania Pfizer në lidhje me këtë marrëveshje si dhe përgjegjësitë që merr qeveria shqiptare. Kam parë dhe analizuar për rreth 1 orë materialin e konsideruar konfidencial është një material nënshtrues me aq sa unë e pashë palën shqiptare. Kjo kërkohet nga kompania Pfizer  për arsye komerciale për të mos publikuar detaje nga kjo kontratë.

Është një kontratë përulëse pasi pala shqiptare merr të gjithë përgjegjësinë nga aty ku do të merret, pra merr përsipër transportin, garancinë, shpërndarjen dhe ruajtjen e vaksinave. Nëse pala prodhuese nuk i qëndron kontratës, kontrata nuk lejon që pala blerëse t’i drejtohet gjykatës.

Kapari i dhënë nga qeveria shqiptare është 50% dhe nuk është si në rastet e kontratave të tjera ku kapari është nga 10% deri në 30%. Çmimi i vaksinës është rreth 12 dollarë”, tha Murrizi.

Për sa i përket ofrimit rus për të ndihmuar me vaksinën “Sputnik” Shqipërinë, Murrizi u shpreh i hapur për pranimin e një ndihmë të tillë. Për ta argumentuar përgjigjen e tij ai bëri një paralelizëm me ndihmën që Serbia dha për Shqipërinë gjatë tërmetit të 26 Nëntorit. Sipas tij e thënë në mënyrë popullore, situata e Covid-19 është e ngjashme me një mort ku nuk thirret askush për të qenë prezent por të gjithë që vijnë janë të mirëpritur.

“Të mos na shesin shumë dëngla si pro-perëndimorë. Unë do të pranoja vaksinën nga 209 vendet e botës pavarësisht kush e prodhon. Është e njëjtë me ndihmën që erdhën serbët në tërmetin e 26 Nëntorit. Në mort nuk thirret kush, në mort i hapet dera hasmit, ndërsa në dasëm e bën t’i listën e të ftuarve. Marrëdhëniet diplomatike përqendroi vetë se nga i ke, por pjesa humane, unë do të pranoja ndihmë nga gjithkush siç u pranua në rastin e tërmetit. Ne kemi këtu investitorët më strategjikë nga Kina. Energjinë nëntokësore dhe aeroportin e ka Kina. Hecet, tecet  dhe hekurin natyrore i ka turku.

Këta pro perëndimorët e mëdhenj, me letra  dhe me fakte kanë dhënë mundësi dhe kanë ofruar mundësi për këto vende që gjoja nuk i duan.

Nuk e di se sa i sinqertë ka qenë ofrimi i mbështetjes humane nga ambasada ruse, por nëse vjen në parlament për tu ratifikuar një marrëveshje për këtë punë unë do ta votoja me qejf nga cilido vend”, shtoi Murrizi.