Mbrëmja e të
premtes ishte një ditë historike për Maqedoninë por edhe Ballkanin pasi u mbyll
më në fund një plagë e hapur dhe një konflikti të gjatë. Kuvendi  i këtij
vendi, miratoi ndryshimet kushtetuese sipas të cilave Maqedonia tani e tutje do
të quhet Maqedonia e Veriut, transmeton KosovaPost.

Ky hap për të cilin ishte investuar në dekada gjithë bota
perëndimore është përshëndetur njëzëri nga shumica e liderëve të vendeve evropiane,
organizata botërore dhe më tej.

Urimet e para, për votimin që ndryshoi emrin dhe historinë e
fqinjit tonë bazuar në marrëveshjen e Prespës së nënshkruar me palën greke, e
dhanë përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, si dhe
Komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Johannes Hahn.

“Në emër të Bashkimit Europian, urojmë me gjithë zemër
Kuvendin për hapin thelbësor drejt zbatimit të Marrëveshjes së Prespës.
Udhëheqësit politikë dhe qytetarët treguan vendosmëri që ta rrëmbejnë këtë
mundësi historike, për zgjidhjen e një prej grindjeve më të vjetra në rajon, e
në mënyrë vendimtare lëvizin drejt BE-së”, thanë zyrtarët e unionit.

Gjithashtu edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens
Stoltenberg, i cili prej disa muajsh ka deklaruar se miratimi në Kuvend i
ndryshimeve kushtetuese do t’i hapte rrugën anëtarësimit të Maqedonisë së
Veriut në aleancën perëndimore.

“NATO e përkrah fuqishëm implementimin e plotë të
marrëveshjes së Prespës, që është kontribut i rëndësishëm për një rajon të
qëndrueshëm dhe me prosperitet”, është shprehur Jens Stoltenberg.

Por, nuk kishin si të mungonin edhe reagimet nga Greqia,
vendi kryesor me të cilin u arrit marrëveshja dhe që e pengonte prej dekadash
në rrugën e integrimit euroatlantik, e që tashmë merr stafetën për të
ratifikuar edhe ajo në Parlamentin helen të njëjtën marrëveshje, në mënyrë që
të hyjë në fuqi.

“Kryeministri Alexis Tsipras ka kontaktuar me kryeministrin
Zoran Zaev. Kryeministri e ka uruar zotin Zaev për mbarimin e suksesshëm të
procesit të rishikimit të Kushtetutës së Maqedonisë, bazuar në Marrëveshjen e
Prespës”, thuhet nga zyra e kryeministrit grek.

Sipas Syri.net, ndër urimet e tjera janë edhe ato të
ambasadorit amerikan në Shkup, Jess Baily, Sekretarit të Jashtëm britanik
Jeremy Hunt, ministrit të Jashtëm gjerman Heikko Maas, apo edhe Kancelarit
austriak Sebastian Kurz.

Pas një beteje të gjatë dhe të lodhshme, me shumë situata të
panjohura që nga qershori i vitit 2018, kur u nënshkrua “Marrëveshja e
Prespës”, Kuvendi i Maqedonisë miratoi një ditë më parë ndryshimin e emrit të
shtetit, duke miratuar 4 amendamentet që ndryshuan Kushtetutën e vendit. Kur
ato të hyjnë në fuqi, shteti do të quhet “Republika e Maqedonisë së Veriut”, e
me këtë emër Maqedonisë i sigurohet anëtarësimi në NATO, sikurse edhe një datë
bisedimesh me Bashkimin Europian. /KosovaPost/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re