Skip to content

U mori 570 mijë euro nëpërmjet mashtrimit, si e futi në kurth 30 vjeçarja shoqen dhe familjen Verracaku

Collage Maker 24 May 2023 02 33 PM 8827 scaled

Një skemë mashtrimi të ngjashme me ato të filmave ka përdorur ish-zyrtarja e Bankës së Shqipërisë Milena Deraj, duke përfituar 570 mijë euro. 30 vjeçarja u arrestua për mashtrim.Deraj u denoncua në polici nga shoqja e saj, të cilët i kishte marrë shumën prej 230 mijë eurosh me argumentin se do t’i investonte në bono thesar.

Paratë janë dhënë gjatë një viti, dhe kur shoqja e saj ka kuptuar skemën e mashtrimit është paraqitur në polici për ta denoncuar. Dhe pikërisht këtu, hetuesit zbulojnë mashtrimin e radhës që Milena Deraj kishte bërë me persona të tjerë.

30 vjeçarja, teksa merrej në pyetje ka deklaruar se ndihej e kërcënuar nga një familje në Shkodër, të cilëve u kishte marrë po duke i mashtruar 340 mijë euro duke i premtuar se do i ndihmonte në një proces gjyqësor që ata kishin për një ngjarje kriminale të ndodhur dy vite më parë në Velipojë.

Shumën e parave, mashtruesja profesioniste ua kishte marrë në kohë të ndryshme Hasan, Abedin dhe Shyqyri Verracaku, babait dhe dy djemve nga Shkodra.

30 vjeçarja Milena Deraj u kishte premtuar se do ndërhynte tek persona të tjerë për t’u zgjidhur çështjen e gjyqit dhe për t’u lehtësuar pozitat që Verracakët kanë për masakrën me 4 të vrarë në Velipojë, në vitin 2021, ku viktimë mbetën persona nga familja Verracaku dhe Gocaj, si dhe kamarjeri 20 vjeçar Musaen Zeneli.

Për këtë ngjarje i arrestuar ishte edhe Hasan Verracaku. Tashmë, pas dëshmisë së Derajt, policia ka shpallur në kërkim tre pjesëtarët e familjes Verracaku, për kërcënimet që ata i kanë bërë 30 vjeçares, në mënyrë që ajo t’u kthente paratë.