Situata problematike vijon në Kurbin të Lezhës për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Fax News mëson se në fshatin Shpërdhet është shkatërruar rruga duke izoluar banorët si dhe janë dëmtuar këmbët e urës, e ndërtuar vetëm 2 vite më parë.

Nga reshjet e dendura që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve te fundit. janë përmbytur 2800 hektarë tokë bujqësore në fushën e Zadrimës, Zejmenit, Rrilës,  Tales, Shënkollës.

Sa i përket situatës në Elbasan, akset rrugore nacionale dhe rurale janë të gjitha të hapura dhe të kalueshme. Ndërkohë rënie gurësh dhe inertesh ka pasur në aksin Elbasan-Librazhd dhe Gramsh-Moglicë. Rënie dherash ka pasur edhe në Cërrik-Grmash dhe Pishkash. Ndërsa lumenjtë Shkumbin e Devoll kanë prurje, por jo problematike.

Edhe në Fier, situata është e qetë pasi në hidrometrin e Memaliajt, niveli Vjosës lexon 3.5 m duke reflektuar një rënie. Vjosa vijon në nivele maksimale për shkak të mbartjes së ujërave në zonat e larta, por edhe të vështirësisë së shkarkimit në det.

Megjithatë nuk ka pasur probleme në banesa, por banorët janë ankuar për tokat bujqësore që janë përfshirë nga uji.

Në Pukë, problem mbetet aksi nacional Kryqëzim Hadroj – Gjegjan – Mirditë, ku ka shembje të vazhdueshme gurësh dhe dherash. Rruga është në juridiksionin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili është njoftuar për gjendjen dhe rrezikshmërin që paraqet për udhetarët.

Si pasoje e shirave të vazhdueshem në fshatin Shkozë një banesë ka pësuar plasaritje si pasoje e rreshqitjes së tokës, ndërkohë që rrëshqitje të tokave ka pasur dhe pranë tre banesave në fshatin Qelëz dhe një banese në fshatin Buzhalë.

Akset rrugore rurale të pakalueshme janë: Mardhnaq-Meqe; Buhot- Kabash; Gjegjan- Sherraj.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re