Kryetari i Grupit parlametar të PD-së, Gazment Bardhi ka kërkuar nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla që të mbledhë Këshillin e Mandateve pasditen e sotme (10 korrik) ora 18:00, pas kërkesës së SPAK për prangosjen e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.

“Në emër të 5 anëtarëve të opozitës kërkojmë thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ditën e hënë, datë 10.07.2023, ora 18:00, me rend dite: “Shqyrtimin e kërkesës nr. 9431 Prot., datë 07.07.2023, të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, iu është drejtuar Gazment Bardhi Kuvendit.

Bardhi është shprehur anëtarët e opozitës në Këshillin e Mandateve janë njohur nëpërmjet medias për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Shqipërisë, për arrestimin e Arben Ahmetaj dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së deputetit të PS-së.

“Deri në këtë moment, asnjë nga anëtarët e opozitës në Këshillin për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, nuk është njoftuar zyrtarisht lidhur me kërkesën dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit. Për këtë arsye kërkoj që menjëherë të përmbushn detyrimin tuaj për t’i njoftuar anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, një kopje të kërkesës dhe të gjithë dokumentacionit shoqërues, duke e shoqëruar marrjen në dorëzim të tyre me nënshkrimin e një deklarate personale të secilit anëtar për ruajtjen e konfidencialitetit të materialeve”, shkruan ai në shkresën drejtuar Lindita Nikollës.

Kërkesa e zbardhur

Znj. Kryetare e Kuvendit,

Nëpërmjet medias jemi njohur me kërkesën nr. 9431 Prot., datë 07.07.2023, ku në kuadër të procedimit penal pr. 277/1 të vitit 2022, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar, ka paraqitur kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së deputetit Arben Ahmetaj. Është e papranueshme që anëtarët e Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet njihen nëpërmjet medias me kërkesën e paraqitur nga prokuroria, për shkak se Kryetarja e Kuvendit nuk përmbush detyrimin e saj sipas Rregullores së Kuvendit.

Dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj se sipas pikës 1 të nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, “kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpiose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, për kontrollin personal ose të banesës i paraqitet Kryetarit të Kuvendit nga prokuroriKryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese MENJËHERË për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin”.

Deri në këtë moment, asnjë nga anëtarët e opozitës në Këshillin për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, nuk është njoftuar zyrtarisht lidhur me kërkesën dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit. Për këtë arsye, në mbështetje të pikës 1, të nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, kërkoj që menjëherë të përmbushn detyrimin tuaj për t’i njoftuar anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, një kopje të kërkesës dhe të gjithë dokumentacionit shoqërues, duke e shoqëruar marrjen në dorëzim të tyre me nënshkrimin e një deklarate personale të secilit anëtar për ruajtjen e konfidencialitetit të materialeve.

Nga ana tjetër, sa kohë kërkesa përmban edhe nevojën për të autorizuar kontrollin e banesës së deputetit, për të shmangur çdo vonesë që do t’i jepte kohë z. Ahmetaj të kryente veprime që mund të pengonin drejtësinë, përmes zhdukjes apo fshehjes së provave, në mbështetje të nenit 13, pika 6 dhe nenit 118 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, në emër të 5 anëtarëve të opozitës kërkojmë thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ditën e hënë, datë 10.07.2023, ora 18:00, me rend dite: “Shqyrtimin e kërkesës nr. 9431 Prot., datë 07.07.2023, të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.

Në pritje të zbatimit të menjëhershëm të detyrimit tuaj sipas Rregullores së Kuvendit,

KRYETARI I GRUPIT

GAZMENT BARDHI

Dokumenti:

dokumenti bardhi ahmetaj kuvenddokumenti bardhi ahmetaj kuvend1

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re