Një ditë pasi pasardhësi i saj në krye të Bashkisë, Nuri Belba, e paditi në SPAK, ish-kryebashkiakia e Prrenjasit Miranda Rira drejton gishtin nga Taulant Balla. Rira, e cila u padit për ndërtimin e një fushe sporti në kohën kur ishte në krye të Bashkisë, shprehet se numri dy i socialistëve prej fillimit ka tentuar që ta bllokojë projektin.

“Nuk ka asgjë të re nga ajo që ka ndodhur më përpara. Pas saj nuk është kryetari aktual i Bashkisë së Prrenjasit por deputeti Taulant Balla, nuk ndihem e befasuar, pasi duket se fushata ka filluar tashmë. Investimi në fjalë është penguar në të gjitha format nga vetë Taulanti, dhe kur nuk mundi pasi ai investim u publikua dhe nga kryeministri Edi Rama.

Teknikët që nxorën fitues projektin në fjalë, mua më morën në telefon nga ministria dhe nisën të raportonin për probleme, gjë që nuk kishte sens. U mundua Balla që me ministrinë e Arsimit të bllokonte projektin, por nuk mundi ta bënte. Ka një vendim gjykate që i jep të drejtë Bashkisë”, u shpreh Rira në Fax News.

Ish-kryebashkiakia tha më tej se Taulant Balla ka shkatërruar pyjet e Librazhdit, tashmë duke e shtrirë dhe aktivitetin në sektorin e HEC-eve, dhe për këtë sipas saj ai duhet të hetohet nga SPAK.

“E gjitha kjo bëhet për të krijuar zhurmë, vjen një ditë pasi kryetarja e LSIsë Monika Kryemadhi ishte në Prrrenjas, dhe e përmendi emrin tim si kandidate të mundshme për deputete në qarkun e Elbasanit në zgjedhjet e ardhshme. Unë nuk e kam frikë Taulantin, do të doja që ta kisha këtu përballë meje, që të vija në pah ti thoja shkatërrimin që iu ka bërë pyjeve dhe natyrës në zonën e Stërblevës.

Unë pavarësisht pozicioneve që kam pasur nuk kam mundur që të ble ndonjëherë çantë me çmin që i ble gruaja e Tuaulant Ballës. Jo vetëm Taulanti por edhe vëllai i tij po shtrin aktivitetin në HEC-et, është në luftë dhe me vëllanë e tij.

Unë vij nga e majta dhe e njoh shumë mirë Taulant Ballën, ika nga PS pasi kjo parti u bë Rilindje. Ai person që është sot në krye të Bashkisë është një kukull të cilin unë e njoh mirë pasi e kam pasur nënkryetar. SPAK duhet të merret me të gjitha allishverishet e Taulantit”, përfundoi Rira.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re