Gazetari Osman Stafa ka reaguar në lidhje me incidentin e ndodhur në Kuvendin e Shqipërisë gjatë seancës parlamentare, ku një pjesëtar i Gardës tentoi ta ndalonte të filmonte.

Në një postim në rrjetet sociale, gazetari i News24 e ka konsideruar ngjarjen e sotme një situatë absurde, referuar një urdhri të dhënë se gazetarët nuk mund të qëndrojnë pranë murit, pasi telefoni mund t’u bjerë nga duart e mund të rrezikohet jeta e deputetëve të cilët ndodhen poshtë.

Urdhër ky absurd sipas Stafës, pasi një praktikë e tillë nuk ndiqet as për kamerat të cilat janë shumë herë më të rënda se një telefon smart.

Sa i përket pjesës se lejohet të filmojë vetëm operatori dhe jo gazetari, ai tha se është pengim i pastër i ushtrimit të detyrës së gazetarit, pasi çdo punonjës i medias, i akreditur në Kuvendin e Shqipërisë, mund të filmojë me telefon, njësoj si të ishte operator.

Postimi i plotë:

Gjatë 10 viteteve të mia si gazetar, asnjëhërë nuk kam dashur të bëhem unë lajmi, por të bëj lajm me denoncime, investigime, raportime për politikën, histori njerëzore, etj.

Unë e dua këtë punë dhe e cilësoj një mision!

Ditën e sotme (këtë të enjte) u përballa me një situatë absurde në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë ushtrimit të detyrës dhe profesionit tim. (Nuk është e para për ne gazetarët, por një rast i përsëritur)

Një punonjës i Gardës së Republikës, si pa të keq, m’u afrua me qëllim për të më penguar të filmoj, vëzhgoj, se çfarë ndodh në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Justifikimi është një urdhër absurd që është dhënë, (të paktën kështu thonë se urdhër zyrtar s’kemi parë) se duke qëndruar afër murit (në këtë rast nuk isha), telefoni mund të na bjerë nga duart dhe mund të rrezikohet jeta e deputetëve. Ndërkohë që kamerat, të cilat janë rreth 12-15 kg, mund të qëndrojë aty dhe mund të filmojnë, sipas rregullit te vendosur nga institucioni. Absurde! Kush rrezikon më shumë jetën e një deputeti, telefoni apo kamera e madhe?

Por absurditeti nuk mbaron me kaq! Rregulli që Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur na thotë ne gazetarëve, se operatori mund të filmoj, ndërsa reporteri, nuk mundet. Qartazi kjo është një pengim i pastër i ushtrimit të detyrës së gazetarit, pasi çdo punonjës i medias, i akreditur në Kuvendin e Shqipërisë, mund të filmoj me telefon, njësoj si të ishte operator. Kjo pasi një gazetar mund të vlerësoj se në një moment të caktuar, mund të filmoj një reagim, veprim, apo protestë të një deputeti. Nëse ne shkojmë ku kërkon rregullorja të shkojmë, nuk kemi asnjë mundësi të vëzhgojmë dhe filmojmë se çfarë ndodh në të gjithë sallën plenare. Si mund të pengohet gazetari për këtë? Misioni ynë është ndjekja e lajmit, situatave të papritura dhe detyrimi ynë përcjella e tyre me paanshmëri dhe korrektesë. I qendroj me bindje kësaj të fundit!

Nesër Kuvendi i Shqipërisë mund të vendosë në rregullore që punonjësit e medias të mos filmojnë as me kamera as me telefona, por kjo gjë nuk do të pranohet kurrësesi, e aq më pak të pranohen urdhërat absurdë që jepen, duke penguar punën e gazetarëve.

E gjitha kjo sjellje e parpanueshme e Gardës ndaj gazetarëve vjen pas situatës së pak javëve më parë kur në Kuvend, disa përfaqësues të një lëvizjeje shpalosën një banderolë për votën e disaporës dhe hodhën në Kuvend disa fletë. Deri në këtë moment ne gazetarët kemi bërë punën tonë normalisht duke filmuar me kamera apo me telefona nga llozha ku qëndrojnë gazetarët.

Por unë e shoh problemin tek prepotenca, arroganca dhe guximi që i është dhënë disa punonjësve të Gardës për të prekur me dorë gazetarë, apo të kërcënojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë punonjës të medias. Kjo është sjellje e papranueshme! Por më shumë se e ndikuar nga punonjësit e Gardës e shoh të frymëzuar nga ata që kanë bërë këtë rregullore skandaloze dhe penguese për median.

Kuvendi i Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla duhet ta rishohë menjëhërë këtë rregullore absurde që pengon gazetarët të filmojnë me telefonat e tyre se çfarë ndodh në seancat plenare.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re