Albana Vokshi ka reaguar për incidentin e ndodhur jashtë selisë blu ku ajo së bashku me anëtaren e Komisionit të Rithemelimit Evi Kokalari u përplasën me një simpatizante të PD.

Gjatë një postimi në rrjetet sociale, Vokshi dënon aktet e dhunës verbale e fizike ndaj grave anëtare të Komisionit për Rithemelimin e PD-së.

Reagimi nga Albana Vokshi:
Komisioni i Rithemelimit të Pd dënon me forcë aktet e dhunës verbale e fizike ndaj zonjave anëtare të Komisionit për Rithemelimin e PD dhe zonjave Kryetare të degëve dhe anëtare të LDGSH.
PD është shtëpia e lirisë së cdo demokrati.

Është e turpshme të keqpërdoren gratë nga Shoqata Basha – Bardhi, si mburojë njerëzore për ruajtjen e karrikes. Nuk ka logore e mburojë njerëzore që ta shpëtojë deputetin Basha nga vullneti i 4446 delegatëve të Kuvendit Kombëtar, kuvendit më spektakolar në historinë e pluralizmit politik në këto 30 vjet.

Vullneti i 4446 anëtareve të Kuvendit Kombëtar që do të konfirmohet me referendumin e 18 dhjetorit, nuk do të mund të transformohet nga orkestra e cakorduar e Shoqatës Basha – Bardhi. Skenarët me vullnetarët e Lulzim Bashës do të denoncohen para ligjit dhe të gjithë shqiptarëve dhe ideatorët dhe ekzekutuesit do të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe morale.

Komisioni i Rithemelimit të PD do të vijojë punën e tij në ambjentet e selisë së PD, si shtëpia e të gjithë demokratëve.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re