Jana Nano është një mjekje shqiptare e cila është pjesë e grupit
kërkues “Epidemiologjia e Diabetit” pranë Institutit të Epidemiologjisë
në Helmholtz Zentrum München në Gjermani. Për shkak të karrierës së
suksesshme, Nano u promovua edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së
Diasporës, e drejtuar nga Pandeli Majko.

Ministria kishte publikuar foton e mjekes shqiptare dhe një ‘Cv’ të
shkurtër të saj, por veprimi është kundërshtuar ashpër nga Nano.

Për këtë arsye, ajo ka publikuar një letër të gjatë ku e konsideron
dyfytyrësi sjelljen e institucioneve shqiptare, pasi për shkak të tyre
shumë të rinj të talentuar zgjedhin të largohen nga vendi.

“Në këtë kontekst, kjo strategjia e Ministrisë së Diasporës me
promovimin e ;Shqiptarëve në botë’, me duket e dyfytyrë dhe e cekët! E
dyfytyrë, sepse shumë prej këtyre njerezve u larguan pasi nuk patën
mundësi tjetër për të patur një jetë të denjë dhe të sigurtë. U larguan
pasi vendi i tyre nuk ishte një opsion! Vendi i tyre nuk u dha as edhe
një mundësi për të shprehur veten. Është shumë normale që njerëzit të
lëvizin përgjatë jetës së tyre për të bërë eksperienca të reja pune a
për të shijuar kultura të ndryshme jetese. Por ka një ndryshim të madh
kur e bën këtë, sepse vendi yt nuk të siguron nevojat bazike të nje jete
normale. Situata aktuale e Shqipërisë është reflektim i drejtpërdrejtë i
politikave keqmenaxhuese dhe paaftesisë së drejtuesve”, shkruan ndër të
tjera mjekja.

Reagimi i plotë i Jana Nanos

Thjesht rastësisht, në fakt nga urimet e miqve, vura re që në
profilin e Ministrisë së Diasporës, ndër shumë profileve promovimi
shqiptarësh në botë, ndodhej edhe imi (me një foto).

Ky akt është bërë totalisht pa marrë asnjë lloj aprovimi nga ana ime.
Përvec shfryrjes së momentit sesi një faqe zyrtare e shtetit nuk njeh
konceptet bazë të privatësisë individuale dhe nuk denjon as të dërgojë
një mesazh aprovimi, një ulërimë e brendshme, e papërkufizueshme që më
zgjati gjatë gjithë mbasdites më detyroi të ndaj me ju këto rreshta.

Kam rreth 8 vjet që kam ikur nga Shqipëria. Në atë kohë (studente në
vitin e fundit të mjekësisë), kisha një entuziazem dhe kuriozitet të
përjetoja sa më shumë alternativa të tjera organizimi (më së shumti ne
kontekstin e arsimit, se ai ka qenë aktiviteti im kryesor), larg botës
ku isha rrethuar. Në atë kohë, në statusin e studentit, ishim përpjekur
të artikuloheshim kundër fillesave të kalbëzimit të sistemit. Por me një
përqasje tmerrsisht naive, pa kuptuar sa të thella i paska patur
rrënjët gangrena e arsimit shqiptar. Sot, nga skandalet e
herëpashershme, protestat e studentëve, emigrimi masiv i të
kualifikuarve, kuptoj që vendi ka ecur veç mbrapsht!

Ky është një zhgënjim i thellë dhe i trishtë!

Në këtë kontekst, kjo strategjia e Ministrisë së Diasporës me
promovimin e ;Shqiptarëve në botë’, me duket e dyfytyrë dhe e cekët!

E dyfytyrë, sepse shumë prej këtyre njerezve u larguan pasi nuk patën
mundësi tjetër për të patur një jetë të denjë dhe të sigurtë. U larguan
pasi vendi i tyre nuk ishte një opsion! Vendi i tyre nuk u dha as edhe
një mundësi për të shprehur veten. Është shumë normale që njerëzit të
lëvizin përgjatë jetës së tyre për të bërë eksperienca të reja pune a
për të shijuar kultura të ndryshme jetese. Por ka një ndryshim të madh
kur e bën këtë, sepse vendi yt nuk të siguron nevojat bazike të nje jete
normale. Situata aktuale e Shqipërisë është reflektim i drejtpërdrejtë i
politikave keqmenaxhuese dhe paaftesisë së drejtuesve.

E cekët, sepse aktivizon dhe stimulon ndjenjat demotivuese tek
njerëzit, duke i bërë të mendojnë që andej jashtë Shqipërisë, është toka
e premtuar. Të vendosesh si i huaj në një vend të ri ka vështirësite e
veta. Nuk ke problemet primitive si në Shqiperi, por forma të tjera si
p.sh. duhet të punosh shumë për të fituar besimin e njerëzve, kërkon
kohë të krijosh komunitetin tënd të njerëzve ku mund të mbështetesh pasi
je totalisht vetëm, diferencat kulturore ose gjuha etj, gjëra që në
vendin tënd i merr të mirqena. Të kërkohet të të rregjet lëkura, me pak
fjale! Përse gjithe këtë energji te mos e japësh në vendin tend? He pra,
pse nuk krijoni kushtet që këta të rinj e të reja të lulëzojne në
vendin e tyre e jo gjetkë?

Prandaj, shut the f*** up!!!, kur promovoni njerëz, të cilët u
larguan prej politikave tuaja të këqija! Ndihem e turpëruar për ju, që
në padyfytyrësinë tuaj, krenoheni për një punë që nuk dhatë asnjë
kontribut. Përkundrazi, vendi im është sot edhe me keq seç e kam lënë!
Ju jeni arsyeja kryesore pse shqiptarët sot ndihen të palumtur në vendin
e tyre dhe ndërmarrin kalvarin e mundimeve të pafundme të “kurbetit” me
fëmijët backpak në shpatulla!

Të vetmet që duhen të ndihen krenarë janë Shqiptarët, të cilët
kontribuan nga njera anë me gjenet luftarake, e nga ana tjetër, me
sakrificat e djersën e familjeve, me zemrat e copëtuara ndër kontinente!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re