Krijimi në mënyrë të beftë i Superligës Europiane për klube vijon t’i djegë ende kreut të UEFA-s, Alexander Ceferin, edhe pse ky kompeticion ka dështuar pa nisur ende, pasi 9 nga 12 klubet nismëtare hoqën dorë brenda 72 orëve nga lancimi.

Në një intervistë të dhënë për mediat franceze, Ceferin nuk e fsheh mllefin që ka për ish mikun e tij të ngushtë, Andrea Agnellin, president i Juventusit dhe njëri prej nismëtarëve të këtij kompeticioni.

“Sa më përket mu, ai njeri nuk ekziston më. Mendoja se ishim miq, por më ka gënjyer deri në momentin e fundit. Më thoshte që të mos shqetësohem, pasi nuk ka asgjë, por ndërkohë kishte firmosur projektin një ditë më parë dhe po përgatiste lancimin”, u shpreh Ceferin.

Në pritje të sanksioneve ndaj klubeve si Juventus, Barcelona e Real Madrid, që nuk kanë hequr dorë ende nga projekti dhe ndërkohë që çështja ka përfunduar në Gjykatën Europiane, Ceferin i hedh benzinë zjarrit, duke ndarë “fajtorët” në tre kategori.

“Në këtë betejë unë i ndaj palët në tre kategori. Kam vënë Agnellin në të parën, pasi është diçka personale me të. Në kategorinë e dytë vendos presidentët që i konsideroja mjaftueshëm miq dhe më vjen keq që nuk më thanë asgjë mbi atë që po planifikonin. Në kategorinë e tretë janë drejtuesit me të cilët nuk kisha afrimitet, që gjithsesi edhe ata do të marrin ndëshkimin e tyre për gjithë sa ndodhi”, tha kreu i UEFA-s.

Për t’ju bashkuar faqes sone në Facebook, klikoni like

loading…

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re