Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës në fshatin Krastë të Fushë Krujës, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një hoteli dhe lokali, në pronësi të shtetasit Mondi Voga, që rezulton të ketë qenë shofer i ish prokurorit Arjan Ndoja.
Mondi Voga (majtas) dhe ish prokurori Arjan Ndoja (djathtas)
Sipas gazetarit Igli Çelmeta, Mondi Voga ka qenë duke fjetur në hotel bashkë me gruan dhe fëmijët e tij, kur edhe ka dëgjuar të shtënat. Për fat të mirë nuk është raportuar për persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Nga hetimet paraprake rezulton se në vendin e ngjarjes janë gjetur 15 gëzhoja.
Kush është Mondi Voga?
Mondi Voga ka qenë i arrestuar më parë nga policia, pasi në vitin 2020 ai u kap me armë zjarri në makinë.
Vogës iu gjet arma në një makinë luksoze e të blinduar, ndërsa emri i tij lidhet edhe me një ngjarje të dhunshme të ndodhur në Durrës.
Mondi Voga u kap nga kamerat e sigurisë së një subjekti afër Prokurorisë së Durrësit duke dhunuar avokatin Ilia Ilia. Voga u shpall në kërkim që ditën e ngjarjes, pasi vetë i dëmtuari ka arritur ta identifikojë atë që në momentin e parë dhe ta referojë emrin e tij në organin e hetimit si person që ka lidhje me prokurorin Arjan Ndoj.
Për këtë ngjarje, u vendos në hetim në atë kohë edhe prokurori Arjan Ndoji, që dyshohet se ka organizuar sulmin ndaj avokatit, me të cilin ishin konfliktuar një ditë para ngjarjes në një seancë gjyqësore. Në lidhje me ngjarjen, babai i Mondi Vogës deklaroi se djali kishte rrahur avokatin Ilia pasi ishte shtyrë nga prokurori Ndoji.