Konflikti me Sali Berishën ishte çfarë i largoi në vitin 2012 nga Partia Demokratike, në drejtim të FRD-së së krijuar nga Bamir Topi.

Në PD, Aleksandër Biberajn dhe Gazment Oketën, i ktheu Lulzim Basha si anëtarë të Këshillit Kombëtar, por në dilemën e madhe që ka ndarë demokratët, ata kanë zgjedhur të marrin pjesë në Kuvendin e 11 dhjetorit thirrur nga lideri historik, Berisha.

“Ju përmendët 4200, por sipas organizatorëve janë mbi 5000 delegatë që kanë firmosur. Unë kam firmosur para disa javësh, pasi kam ndjekur vullnetin e shumicës”, thotë Aleksandër Biberaj për A2.

“Nuk e kam firmosur formularin. Do të jem aty jo si mbështetës i zotit Berisha, por si përfaqësues i PD-së, i cili respekton statutin dhe institucionet”, thotë Oketa.

Për mundësinë e rikthimit të Sali Berishës në krye të PD-së, dy ish-deputetët demokratë ndahen në mendime të ndryshme.

“Në terma afatgjatë, rikthimi i Berishës do të ishte zhvillim jo pozitiv”, thotë Oketa. Dorëheqja e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit shihet nga Oketa dhe Biberaj si zgjidhja më e mirë për situatën e krijuar në PD, por e vetme thonë se nuk mjafton.

“Qëndrimi në 8 vite në krye të PD-së, duke mos pasur rezultate pozitive, duhet të bënte Bashën të reflektonte”, thotë Biberaj.

“Jam i bindur që bashkimi ynë dhe fillimi i protestave, që me datë 12, deri me rrëzimin e kësaj qeverie, do të jetë shërbimi më i mirë që mund t’i bëjmë Shqipërisë dhe shqiptarëve”, shprehet ai.

Gazment Oketa dhe Aleksandër Biberaj i kërkojnë deputetëve të PD-së dhe strukturave vendimmarrëse të reflektojnë mbi këtë situatë ku ndodhen demokratët e të mos mendojnë për interesat personale, me qëllim që kjo parti të mos asgjësohet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re