Bekim Çerri, banor i njësisë administrative numër 8, që prej më shumë se 3 muajsh proteston kundër prishjes së banesës së tij, e cila preket nga projekti i Rindërtimit.

Mëngjesin e sotëm kur policia ka mbërritur në “5 Maj”, ajo u përplas me banorët dhe një nga të shoqeruarit është dhe Bekim Cerri, i cili flet për atë që ndodhi, në një intervistë për Fax Neës.

Bekim Çerri thotë se është shoqeruar në Polici në mënyrë të dhunshme, gjë e cila i ka shkaktuar dhe stres të madh.

Ai shton se në fund të 5 orëve në komisariat i kanë dhënë një letër ku thuhet se është shoqeruar “për intervistë”. Tashmë që do t’i prishet shtëpia, Çerri i ka humbur shpresat te vendi i tij dhe thotë se do të largohet.

“Kemi ndenjur gjithë natën zgjuar. Ata erdhën fshehurazi dhe kanë prerë dritat në orën 3 të natës. Nuk kisha parë deri më sot aq polic sa ishin sot, gati 500 policë. Në momentin që erdhën isha i pari përballë tyre. Ishte shefi i komisariatit numër 4, të cilit i kërkova një arsye përse ka ardhur sot. Nuk më dha asnjë zgjidhje dhe thjesht tha kapeni këtë personin, futeni brenda. Më kanë kapur në mënyrë ç’njerëzore. Më ka ardhur inat, se më kanë kap me dhunë 7-8 veta dhe më kanë futur në makinë me dhunë. Unë kërkova që kësaj kohe, 5 orë, që qëndrova brenda, të kisha një kërkesë me shkrim përse më kanë mbajtur brenda. Më dhanë këtë letër, ku thuhet “arsye intervistimi”. Momentin që të merr me dhunë, të fut në komisariat, të prish pronën, të prish jetën , të fillon nje stres i madh duke lënë fëmijët brenda, dhe të jep një letër dhe pa pikë turpi thotë “për arsye intervistimi”. Në Shqipëri nuk ka asnjë lloj institucioni. Asnjë nga banorët që ka dalë sot nuk dinë ku të shkojnë. Shtëpia me qera nuk gjendet kollaj. Shpia iku, por gjëja kryesore është që asnjë nuk e ka vrarë mendjen se çfarë do ndodhë me banorët. Jam shumë pesimist sot për këtë vend, dhe sot mendova të iki fare nga ky vend. Unë do iki jashtë sepse nuk kam më si të jetoj këtu”, deklaroi ai.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re