Sali Berisha në një konferencë për mediat ka publikuar sot raportin e Home Office që e shpalli atë non grata në Britaninë e Madhe.

berisha

Sipas Berishës, në atë vendim nuk ka asnjë të vërtetë dhe nuk ka prova dhe fakte që e implikojnë atë në akuzat e ngritura.

Berisha u shpreh gjithashtu se Rama dhe Soros po sulmojnë opozitën pasi kërkojnë që ta asgjësojnë atë.

Sali Berisha hodhi akuza në drejtim të ambasadorit të Britanisë së Madhe King-Smith, për të cilin tha se vendosi që ta padisë për shpifje, por para se të shkontë në gjykatë duhet të paraqiste një kërkesë me shkrim në komisionin administrativ, që funksionon mbi parimet e një gjykate. Sipas Berishë ky komision iu ka dorëzuar avokatëve të tij, faktet, burimet dhe provat mbi të cilat është bazuar vendimi.

“Jam këtu sot pothuajse një vit pasi Home Office me shpalli non-grata me akuza false për lidhje me krimin dhe përdorim pushteti për pasurimin tim, të familjes, ish-këshilltarit Damir Fazlliç dhe aleatëve.

Pas këtij vendimi që e shpalli Edi Rama në parlament, deklarova se ky vendim bazohet në shpifje dhe trillime, që kanë në bazë korrupsionin transnacional. Njësoj si në rastin e sekretarit Blinken, vendosa të padis ambasadorin King-Smith dhe titullarin pa emër që kishte firmosur letrën.

Mirëpo sipas ligjeve britanike, përpara se të shkoja në gjykatë dhe të paraqitja padinë time për shpifje, duhet të paraqisja një kërkesë me shkrim në komisionin administrativ, që funksionon mbi parimet e një gjykate.

Ky komision iu ka dorëzuar avokatëve të mi, faktet, burimet dhe provat mbi të cilat është bazuar vendimi.

Prandaj unë në këtë raport kam paraqitur të gjitha këto dokumenta. Këtë raport do e quaj raportin e transparencës.

Për fat të keq nuk mund ta bëj këtë për vendimin e DASH, pasi dy vite pasi është marrë ky vendim, DASH nuk ka paraqitur asnjë provë, fakt apo dokument, përfshi këtu kongresmenë amerikanë dhe media të rëndësishme të SHBA.

Në faqen e këtij raporti paraqiten të gjitha të vërtetat. Nga errësira vjen dritë. Korrupsioni transnacional del në dritë me fakte tronditëse për shkallën dhe nivelin e korrupsionit që qëndron pas këtij vendimi.

Qëllimi i këtij raporti nuk është pafajësia ime, pasi këtë pafajësi e ka provuar periudha dyvjeçare, gjatë së cilës kryediplomati i botës nuk nxori asnjë fakt, provë apo dokument. Kjo nuk ndodhi sepse po e kursejnë Sali Berishën, por sepse nuk ka asnjë të vërtetë në atë vendim.

Sfida ime është e hapur: paraqisni një provë të vetme dhe unë largohem nga politika.
Pse i paraqesim këto materiale këtu? Këtë material po e publikoj se çdo shqiptar duhet të kuptojë se çfarë po ndodh me kombin e tij. Kushdo që do e lexojë do kuptojë një të vërtetë të tmerrshme, e cila u pa qartë në shpërthimin e skandalit McGonigal, në grabitjen e vulës së PD në prag të zgjedhjeve me insistimin e McGonigalit me fustan, guvernatores Yuri Kim, kjo e vërtetë u pa në farsën elektorale të vitit 2023. Opozitës shqiptare po i bëhet një sulm i hapur për asgjësimin e saj.

Këtë sulm ndaj opozitës po e organizon vetë kryeministri Edi Rama dhe bashkë me të, mafia më e rrezikshme e planetit, mafia e Sorosit”, tha nder te tjera Berisha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re