120 anëtarë të Lëvizjes Socialiste në zonën e Kombinatit në Tiranë kanë braktisur këtë forcë politike dhe kanë kaluar në radhët e Partisë socialistëve, të paktën ky ishte lajmi që u servis sot nga mediat pranë qeverisë.

Muhamed Limani, ish-anëtar i LSI-së në zonën e Kombinatit në një lidhje për Fax News, ka dhënë më shumë detaje rreth këtij vendimi, që sipas tyre është bërë për shkak të bashkëpunimit me PD-në, e cila është parti e djathtë.

Por ndryshe nga sa u tha në media, se ky ishte një lajm ”bombë” për LSI-në, në fakt këta anëtarë duket se e kanë nisur largimin e tyre që nga viti 2017, dhe tashmë është zyrtarizuar për një efekt më shumë në radhët e populistëve të fushatës.

“Jemi pajisur me karta të Partisë Socialiste, dhe gjithë ky grupim po vazhdon punën me strukturat e partisë socialiste. LSI na ka braktisur derisa është bashkuar me krahun e djathtë, të gjithë anëtarët e saj dikur kanë qenë me PS-në, në momentin kur LSI ka lëvizur kursin ne nuk mund të bashkojmë votat me PD.

Nuk kemi pasur fare kontakte me strukturat, nuk kemi pasur fare komunikim me Kryemadhin. Kemi vazhduar punën pranë strukturave të PS. Unë personalisht jam në LSI që nga viti 2013, që nga 2017 e këtej ne jemi zbehur, kemi vendosur që të gjejmë mbështetjen te PS-ja, se nga ajo kemi buruar. Kemi diskutuar dhe me anëtarë të tjerë që duan të na bashkohen, po rikthehemi në origjinën tonë”, u shpreh Limani.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re