Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Nikolin Jaka, pasi rrëfeu publikisht eksperiencën e tij me Covid 19, ku u shtrua dhe në spitalin Infektiv, i bëri apel bizneseve që të zbatojnë me rigorozitet të gjitha masat e sigurisë në punë kundër koronavirusit. Jaka theksoi se respektimi i masave është i domosdoshëm për shëndetin si edhe për ekonominë.
“Si një njeri që e përjetova dhe kalova këtë virus të kemi kujdes dhe të respektojmë veten dhe njëri tjetrin dhe të kemi më shumë besim tek stafi mjeksor të cilët po bëjnë një sakrificë të jashtëzakonshme për ta përballuar me sukses këtë provë”, tha Jaka para mediave.
Jaka tha se po diskutohet me qeverinë për të ndarë barrën e kostove që biznesit i është shtuar për shkak të protokolleve të sigursië anti-Covid 19.
” Zbatimi i protokollit ka edhe një kosto dhe kjo është ajo cfarë ne po mendojmë për të trajtuar me qeverinë për të parë me shume kujdes se kush do i përballoje kostot dhe humbjet që shkakton protokolli, kështu që një analizë e hollësishme do bëhet pas një periudhe 3 mujore në mënyrë që të dalin edhe kostot evidente se kush janë”, shtoi ai.
Të dhënat e përditësuara të Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se deri më tani janë vendosur 400 masa administrative për subjektet e gjetura në shkelje të protokolleve të sigurisë, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe epidemie janë kryer mbi 108 mijë inspektime nga Task Forca anti-covid.
/faxweb
