Të afërm të familjes Gushi që u shua pak ditë më parë nga aksidenti tragjik i ndodhur në aksin Levan-Vlorë kanë dalë ditën e sotme në protestë për të kërkuar drejtësi. Ata thonë se nuk duan hakmarrje por vetëm të drejtën e tyre, ndërsa thonë se familja e 22-vjeçarit Igli Madani që goditi nga pas të afërmit e tyre, nuk u ka trokitur as në derë.

“Me inkurajimin dhe mundësinë që na japin neve për të vazhduar për t’u bërë thirrje të gjithëve se kjo që na ndodhi ne mund t’i ndodhë çdo familje., Ne jemi njerëz të thjeshtë,. Kërkojmë drejtësi, nuk kërkojmë hakmarrje. Ai babai i atij djalit duhet të na dilte ballë përballë., Duhet të na trokiste në derë sepse ne jemi njerëz”, shprehet një prej tyre.

Ndërkohë motra e Silvana Gushit, 33-vjeçares që ndërroi jetë nga aksidenti mes lotësh shprehet se në familjen e saj është hapur një plagë shumë e madhe dhe sot i dhemb zemra që dy mbesat e saj nuk jetojnë më.

“Na ka mbyllur një derë. Në familjen tonë është hapur një plagë shumë e madhe që nuk mbyllet kurrë. Kërkoj drejtësi sidomos për ato dy fëmijë të vegjël , që ne na dhemb zemra më shumë për ato të dyja që shikoni këtu, sesa për motrën. Unë dua drejtësi”, u shpreh ajo me zërin që i dridhej.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re