Familjarët e viktimave të Gërdecit, kanë përkujtuar këtë 15 Mars, të afërmir e tyre që humbën jetën si pasojë e shpërthimit të fabrikës së demontimit të armëve, në fshatin në periferi të Tiranës.

Si pasojë e shpërthimit, humbën jetën 26 persona, dhe qindra të tjera mbetën të plagosur, ndërkohë që shumë shtëpi u shkatërruan, pasi forca e tij ishte shumë e madhe.

Kjo magazinë e cila ishte kthyer në një fabrikë për demontimin e armëve, duket se vepronte në ilegalitet të plotë, ndërkohë që pas ngjarjes do të jepte dorëheqjen ish-ministri i mbrojtjes i kohës, Fatmir Mediu.

Sa i takon përgjegjësisë ligjore, ajo nuk është vënë në vend sipas familjarëve, të cilët edhe sot akuzuan shtetin dhe organet e drejtësisë që nuk kanë bërë asgjë për Gërdecin.

-Ne jemi në proces gjyqësor, por kjo nuk mund të vazhdojë pambarimisht, na erdhi radha edhe ne për të ikur. Ne kërkojmë që këta që janë gjallë të dënohen. Duket sa e mbajti policia dhe drejtësia që duam premtimin. Ikën 26 veta, çdo gjurmë ka qenë me gjak, pellgje, më dridhet mishi kur e kujtoj…

-Ne kërkojmë vetëm të drejtën, këtë duam. Unë jam 80 vjeç dhe nuk kam marrë drejtësi, kam bijën time që vdiq këtu, dhëndrin, kam vajzën e vëllait. Drejtësi duhet të ketë se janë duke na shkelur me këmbë.

-Më ka ikur burri, çuni, nusja e çunit, goca e vëllaut, gjithë jetën e kemi shpirtin copë. Ne nuk mendojmë se është vënë në vend drejtësia, por çfarë të bëjmë, ne presim që drejtësia ta zbardhë, është krim.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re