Skip to content

U sprovua me sëmundjen e rëndë dhe u bekua nga bamirësia e shqiptarëve, si është sot Kristi

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Kur Shqiptarët për Shqiptarët u njoh me historinë e Kristit, 12 vjeçari kishte kryer 9 operime në trup për t’i shpëtuar sëmundjes së kancerit. Pavarësisht 4 operimeve në bark e 5 në kokë, sëmundja vijonte t’i rrezikonte jetën.

I rrethuar nga lotët dhe një ndjenjë pasigurie për jetën e tij, Kristi kishte frikë se e nesërmja fare mirë mund të ishte dita e fundit e jetës.

“Më merr frika kur shkoj tek spitali, kam shumë dhimbje… (qan me dënesë). Kam mbetur shumë prapa me shkollën, kam shumë qejf të shkoj por nuk mundem, këmbët më dhembin shumë. Jashtë shtetit s’mundet të ikim dot, se ne nuk kemi lekë. Kam shumë mundësi të vdes. Kam shumë frikë”-thoshte Kristi vogël.

Edhe më të dhimbshme ishin vuajtjet e prindërve të Kristit. Të dy në pamundësi për të përballuar kurimin e të birit jashtë shtetit, ata ishin dorëzuar.

“Para tre vitesh djali u sëmur. E sollëm në spital e Kristi doli që ishte me tumor. E vendosën Kristin në operim e unë i bija murit me kokë, thoja o Zot a do më dalë djali…Kam parë tmerr me Kristin, tmer… doktori më tha që nuk mund të jap shpresë, veçse 1% më tha, se 99% është i ikur, më tha përgatituni për çdo gjë”-tregonte për “Shqiptarët për Shqiptarët” nëna e Kristit.

Babai i Kristit ishte prekur nga kanceri disa vite më parë e sëmundja e kishte paralizuar. Në vështirësi të madhe për të folur e lëvizur, babai i Kristit përgjërohej për ndihmë. I mbushur në lot, i sëmurë e i pamundur, ai bëri një thirrje që të thyente zemrën.

“Kam frikë se vdes Kristi! Nuk kam mundësi… nuk e çoj dot jashtë. Nuk kërkoj gjë për vete, vetëm për djalin! Ju lutem, Elvis Naçi, ndihmoni Kristin

Një histori me të vërtetë e dhimbshme kjo e familjes Saka, e cila preku zemrat e mijërave. Në një kohë rekord, lumi i bamirësisë së shqiptarëve bëri të mundur mbulimin e kostove të kurimit , në një prej spitaleve më të mira për fëmijë në Europë. Lajmin familjes ia përcolli Elvis Naçi e Sidrit Bejleri. Kristi u nis drejt Italisë ndërsa jo të pakta qenë lutjet për shërimin e tij.

Fatmirësisht, lutjet e atyre shqiptarëve u dëgjuan. Pas një rrugëtimi të gjatë drejt shërimit, sot Kristi është në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë