Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli para gazetarëve për të argumentuar akuzën kundrejt kryeministrit Edi Rama si porositës i incidentit që ndodhi në protestën e 6 dhjetorit. Berisha përsëriti se personi që e qëlloi është informator i policisë kriminale.

 

Nga ana tjetër, Berisha hodhi poshtë idenë se Gerti Shehu vuan nga probleme të shëndetit mendor duke theksuar se ai ka marrë kredi në bankë dhe ka rinovuar patentën.

 

SALI BERISHA

KRYETAR I PD

“Unë e akuzoj Edi Ramën sepse për pacientin e Edi Ramës dhe klientin e Ardi Veliut, nuk ekziston asnjë dokument zyrtar që të faktojë se është i sëmurë i papërgjegjshëm. Përkundrazi ekziston vendim gjykate që e shpall ligjërisht plotësisht të përgjegjshëm dhe e dënon për goditjen e një personi tjetër.”

 

Kryetari i PD replikoi me të gjithë ata që përgjatë këtyre ditëve kanë vënë në dukje se goditja e Sali Berishës nuk i interesonte kryeministrit Edi Rama.

 

 

 

“Edi Rama ishte i bindur se me këtë skenar apo ngjarjet që pasonin, do i jepnin opozitës një goditje asgjësuese. Ai mendoi se Sali Berisha nuk do ngjitej më në tribunë apo ai do udhëhiqte në zonën ku kërcënohej siguria e samitit, dhe kështu do u tregonte fytyrën e vërtetë, pjesëmarrësve në samit. Ose do të ndodhte që kamikazi i tij të vritej dhe në këtë mënyrë të damkoste opozitën si vrasëse para botës.”

 

Gjatë konferencës me gazetarët, Berisha komentoi edhe sqarimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare për largimin e ambasadores amerikane Yuri Kim, duke theksuar se asnjëherë nuk është bërë një deklaratë e tillë nga qeveria shqiptare.

 

 

 

“Nuk u habita me deklaratën e Edi Ramës me zëdhënësen Xhaçka. Por me këtë rast dua të theksoj se kemi të bëjmë me një flakje të një limoni të shtrydhur.”

 

Por nga ana tjetër, Berisha sërish përsëriti akuzat se diplomatja amerikane ka dëmtuar më shumë se askush tjetër marrëdhëniet Shqipëri-SHBA.

 

 

“I ka lejuar të thërrasë në radhë si të ishin ushtarë, deputetët e Kuvendit kundër Sali Berishës, duke i përpunuar dhe kërcënuar.Kërcënimet, ofendimet e saj ndaj demokratëve, se do hanë bar nëse mbështesin Sali Berishën, dhunimi flagrant i sovranitetit të një vendi duke kërkuar mosfutjen e Sali Berishës në Kuvend, pasi kishte marrë mandatin nga sovrani, thirrjet ndaj elektoratit se kë duhet dhe kë nuk duhet të votojë, kundërshtimi i çdo konvente me kërcënimet ndaj gjyqësorit, këto janë akte të shëmtuara të saj”

 

Sipas Berishës nëse ajo nuk do te përfaqësonte një aleat kaq të rëndësishëm për shqiptarët si SHBA, opozita do të kishte zhvilluar protesta për largimin e saj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re