Presidenti Ilir Meta thotë se inkurajon të ecet sa më shpejt me terapinë me plazmë hiperimune (konvaleshente) dhe për shkak se aplikimi i saj sipas informacioneve, ka rezultuar mjaft i dobishëm për pacientët me COVID-19.

Meta thotë që të sigurohen aparaturat e duhura dhe të bëhet i mundur aplikimi i kësaj metode, ndërsa sugjeron të kërkohet ndihmë nga Italia.

“Nisur nga informacionet përgjithësisht pozitive lidhur me terapinë me plazmë hiperimune (konvaleshente) dhe për shkak se aplikimi i saj ka rezultuar mjaft i dobishëm për pacientët me COVID-19, inkurajoj të ecet sa më shpejt me këtë terapi, duke siguruar së pari të gjitha aparaturat që bëjnë të mundur aplikimin e saj.

Në këtë situatë, është shumë e rëndësishme të kërkohet ndihmë nga Italia për asistimin me specialistë, si një vend me eksperiencë të spikatur për vënien në zbatim të këtij protokolli.

Kjo do të mundësonte jo vetëm një aplikim të suksesshëm dhe zbatim strikt dhe shkencor të këtij protokolli, por dhe do evitonte çdo lloj pasaktësie e pasigurie, që mund të verifikohet në praktikë”, shkruan Meta.

Mungesa e një metodologjie të tillë për të cilën flet kreu i shtetit, është parë si shkaku kryesor i vdekjes së skulptorit të njohur Arben Bajo, ndërsa kishte nevojë për plazmën e gjakut të një personi që e kishte kaluar Covid-19.

(F.GJ/FAXWEB.AL)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re