Ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin tha se 21 xhami të tjera u mbyllën në atë vend, të cilat “tregonin shenja ekstremiste”.

Darmanin, i ftuar në televizionin francez LCI, tha se së fundmi kanë kryer kontrolle në 99 xhami për shkak të dyshimeve për ekstremizëm.

Duke thënë se 21 xhami janë mbyllur, se procesi i mbylljes së gjashtë prej tyre është duke vazhduar, Darmanin tha se këto hapa janë ndërmarrë në bazë të ligjit “anti-separatist”.

Duke kritikuar republikanët dhe ekstremistët e krahut të djathtë që nuk votuan për ligjin, Darmanin mburrej se ligji mbylli kaq shumë xhami për herë të parë në historinë franceze.

Duke vënë në dukje gjithashtu se ata nuk prekën 36 xhami që u inspektuan dhe u zbulua se “nuk ishin në kundërshtim me ligjin francez”, Darmanin tha se disa prej tyre kishin ndaluar marrjen e fondeve nga jashtë dhe një xhami kishte shkarkuar një imam të akuzuar për ekstremizëm.

Kreu i Ministrisë së Brendshme franceze shtoi se inspektimet në xhami do të vazhdojnë.

Duke iu drejtuar muslimanëve në kuadër të zgjedhjeve presidenciale, Darmanin tha se kishte pak “vende adhurimi të lidhura me ekstremizmin” në vend dhe se nuk kishte probleme me muslimanët në Francë në përgjithësi.

Në gusht të këtij viti, Këshilli Kushtetues i Francës miratoi një ligj të diskutueshëm për “anti-separatizmin”, i cili u kritikua për margjinalizimin e muslimanëve.

Ligji u miratua nga Asambleja Kombëtare në korrik, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga ligjvënësit e krahut të djathtë dhe të majtë.

Qeveria pretendon se ligji synon të forcojë sistemin laik të Francës, por kritikët thonë se ai kufizon lirinë fetare dhe margjinalizon muslimanët.

Drafti është kritikuar për margjinalizimin e komunitetit musliman francez – më i madhi në Evropë, me 3.35 milionë anëtarë – dhe vendosjen e kufizimeve në shumë aspekte të jetës së tyre.

Ligji i lejon zyrtarët të ndërhyjnë në xhami dhe shoqata përgjegjëse për administrimin e tyre, si dhe të kontrollojnë financat e shoqatave dhe OJQ-ve muslimane.

Sipas ligjit, pacientëve u ndalohet të zgjedhin një mjek në bazë të gjinisë për arsye fetare ose të tjera, dhe “arsimimi laik” është bërë i detyrueshëm për të gjithë nëpunësit civilë.

Franca është kritikuar nga organizatat ndërkombëtare dhe joqeveritare, veçanërisht nga Kombet e Bashkuara, për margjinalizimin e muslimanëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re